
Dhurata Çupi, ish-deputete e Partisë Demokratike, e ftuar në “A2 Business Week”, u shpreh se ky ishte viti me varfërinë më ekstreme për vendin tonë.
“Jemi në një situatë ku po kalojmë vitin me varfërinë më ekstreme. Kemi 60% të popullit të varfër, jemi një shoqëri me ndihmë ekonomike shumë të ulët dhe kjo situatë nuk është vetëm prej tërmetit dhe pandemisë, por sepse kemi një qeverisje jo për qytetarët. Kemi taksat më të larta në rajon dhe kemi çmime të larta, siç është rasti i naftës. Unë përfaqësoja Qarkun e Dibrës dhe e di se të ardhurat mesatare mujore për një familje atje janë 7 000 lekë në muaj. Imagjinoni si do të kalohet Viti i Ri në atë zone”, deklaroi Çupi.
Sipas saj, “familjet tashmë po mundohen të kursejnë pasi u ka humbur besimi te qeveria”.
“Qeveria për ta nuk bëri asgjë, por u ka rritur çmimet”, nënvizoi ish-deputetja demokrate.
Sa i përket shpërblimit prej 5000 lekësh për pensionistët, Çupi deklaroi: “Nuk mund të kritikosh në këtë rast qeverinë, por diskutimi është se ka 7 vite që pensionistëve nuk u është rritur pensioni. Ata nuk kanë mundësi për të blerë ilaçe, të bëjnë tamponin dhe për këtë arsye, 5000-lekëshi nuk bën gjë”. (A2 Televizion)