
Pandemia nuk ka arritur të prishë frymën e festave këtë fund dhjetori, ku të shumtë kanë qenë ata që i janë drejtuar qendrave tregtare.
Krishtlindjet dhe Viti i Ri janë periudha kur shqiptaret shpenzojnë më shumë për pazaret e fundvitit. Përmes dhuratave për miqtë dhe familjaret apo për te përfituar nga uljet e dyqaneve, njerëzit shpenzojnë, duke rigjallëruar një ekonomi të prekur fort nga kriza.
Covid-19 i kishte shtyrë shqiptarët drejt kursimit, por darka e fundvitit, udhëtimet për argëtim, apo vizitat tek miqtë dhe familjarët janë tradita që kërkojnë shpenzime nga familjet shqiptare dhe nxisin qarkullimin e parasë. Për të lënë pas krahëve një vit të vështirë, edhe këtë herë nuk do të mungojnë dhuratat.
Nga ushqimet dhe pijet për të pritur ndërrimin e viteve, tek veshjet, pajisjet elektronike dhe arredimi i shtëpisë, Dhjetori është periudha kur blihet mesatarisht 3 herë më shumë krahasuar me muajt e tjerë. Fatura e fundvitit varion sipas buxhetit të familjeve, por këtë vit pritet të jetë më e reduktuar, pavarësisht prirjeve konsumatore, për shkak të rënies së të ardhurave (A2 Televizion)