
Ministria e Mbrojtjes njofton se deri në orën 14:00 të ditës së sotme janë regjistruar 16 vatra zjarri, nga të cilat 10 vijojnë të jenë aktive dhe 2 nën mbikëqyrje. Sipas këtij institucioni, aktualisht nuk ka rrezik për banesat në këto zona. Situata në Gojan-Gjegjan, Dukat, Mal Milot dhe Dajt po monitorohet dhe ndërhyrjet vijojnë për izolimin dhe shuarjen e vatrave.
Në operacione janë angazhuar 240 forca ushtarake, 3 mjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor.
Ministria e Mbrojtjes - përditësim mbi situatën e zjarreve
(21 Gusht 2026 - ora 14:00)
Ministria e Mbrojtjes informon se deri në orën 14:00 janë regjistruar 16 vatra zjarri, nga të cilat 10 mbeten aktive dhe 2 nën mbikëqyrje.
Në mbështetje të operacioneve janë angazhuar 240 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë Air Tractor të Forcës Ajrore.
Gojan–Gjegjan, Pukë – Situata paraqitet e qetë dhe aktualisht nuk ka rrezik për banesat. Në terren janë 6 automjete zjarrfikëse me 29 efektivë MZSH, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 50 forca bashkiake dhe 50 vullnetarë, të mbështetur nga 40 efektivë të FA-së, 1 automjet zjarrfikës dhe 2 helikopterë. Mjetet janë stacionuar në pikat me rrezik riaktivizimi për ndërhyrje të menjëhershme.
Dukat, Vlorë – Vijon operacioni në zonën e Shatës, ku vatra ka marrë shtrirje të konsiderueshme gjatë natës në drejtim të malit, por nuk rrezikohen banesa. Janë angazhuar 2 automjete zjarrfikëse me 9 efektivë, 8 punonjës të pyjores, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 40 efektivë të FA-së, me mbështetje ajrore nga 2 avionë Air Tractor.
Mal Milot, Kurbin – Vijon puna për shuarjen e zjarrit në pyllin me pisha, pa rrezik për banesat. Operacioni zhvillohet me 1 automjet zjarrfikës dhe 7 efektivë MZSH, 12 forca policore, 35 forca bashkiake dhe 30 efektivë të FA-së, të mbështetur nga 2 automjete zjarrfikëse të FA-së dhe 1 helikopter.
Dajt, Tiranë – Vijon puna për izolimin e vatrave të mbetura. Një pjesë janë izoluar plotësisht dhe nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në operacion janë 30 forca ushtarake, 13 efektivë MZSH dhe 9 forca të AZM-së, me mbështetjen e 2 helikopterëve të FA-së.
Në vatrat e tjera vijon ndërhyrja dhe monitorimi nga strukturat vendore dhe operacionale, me fokus mbajtjen nën kontroll të situatës dhe parandalimin e riaktivizimeve.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.
(A2 Televizion)