Vitin e shkuar, kryesisht në jug-lindje të vendit, Sarandë e Korçë u kapën 1 mijë e 540 emigrantë të parregullt. Të dhënat nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin tregojnë e në raport me vitin 2023, numri i refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut ka rënë me 77 për qind.
Ndonëse në rënie, flukset tregojnë se Shqipëria vijon të konsiderohet si “vend trazit.”
“Ata e kanë rrugëtim kalimthi Shqipërinë. Nuk kërkojnë azil. ata duan të ikin në Perëndim. aty e kanë destinacionin e synuar. Dhe kryesisht në kufirin Kapshticë-Kakavijë. Ky është një trend ndryshe nga vitet e mëhershme. Më parë kapeshin rëndom edhe brenda territorit të Shqipërisë”, tha për A2 CNN, Armela Xhaho, studiuese e çështjeve të emigracionit.
Të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë ndërkohë se vetëm pak prej emigrantëve të huaj të parregullt që kapen aplikojnë për azil. Gjatë vitit të shkuar pati vetëm 97 azilkërkues të trajtuar nga 256 të tillë gjatë 2023-shit.
“Më shumë se sa burokracitë në procedura kjo vjen si pasojë e mos-dëshirë që këta të huaj kanë për të qëndruar në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre as nuk i presin procedurat dhe largohen diku tjetër”, shtoi Xhaho.
Emigrantët, kryesisht nga Siria, Maroku, Algjeria dhe të tjera shtete të varfra ekonomikisht apo në konflikte, hyjnë në vend përmes pikave kufitare me Greqinë. Më pas, përpiqen që nëpërmjet veriut të vendit t’i drejtohen “Rrugës Ballkanike” për t’u stacionuar në “Perëndim”.
Që nga 2016-a e deri në fundin e fitit të shkuar në pikat kufitare dhe në brendësi të territorit të vendit janë kapur gati 70 mijë emigrantë të parregullt.
“Kulmi ka qenë në vitet 2019. Trendi nisi që prej vitit 2015. Ndër vite ka pasur rritje, ndërsa në dy vitet e fundit ka një zbutje”, deklaroi Xhaho.
Shqipëria do të shpenzojë mbi 3.5 miliardë lekë apo rreth 32 milionë euro në dy vite për menaxhimin e vijës kufitare të vendit, të gjatë 1 mijë e 94 kilometër. Ministria e Brendshme miratoi më herët Planin e Veprimit 2024-2025, ku vëmendje e veçantë i kushtohet edhe emigrantëve të parregullt. (A2 Televizion)