Aksident i frikshëm në qendër të Beratit, "Benzi" luksoz merr përpara shtyllat në shesh

Nga Çaku Tafa
11 Janar 2025, 22:44 | Aktualitet

Një aksident i frikshëm ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qendër të qytetit të Beratit. Drejtuesi i një automjeti ka humbur kontrollin, duke marrë përpara mbajtëset metalike të rrugës dhe në fund është përplasur me shtyllën.

Aksidenti ka ndodhur në qendër të qytetit, në vendin e quajtur "Axhensia",në hyrje të parkimit nëntokësor. Fatmirësisht nuk ka pasur asnjë kalimtar të lënduar.

Fuoristrada, e llojit “Mercedes Benz GL”, me targa AB 473 AX, po qarkullonte me shpejtësi nga ish-Markata në drejtim të gjykatës, kur ka rrëshqitur dhe është përplasur me shtyllën.

Pas përplasjes, drejtuesi i mjetit e ka braktisur makinën dhe është larguar nga vendngjarja. Në vendngjarje ndodhen forcat e policisë që po kryejnë veprimet e para hetimore dhe që bën të mundur edhe hapjen e rrugës, që mbeti e bllokuar për disa minuta.

Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë për A2 CNN se është identifikuar pronari i automjetit, por nuk dihet ende nëse ka qenë ai në timon në momentin e aksidentit.

Sipas policisë po punohet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit dhe ndalimin e drejtuesit të mjetit që e shkaktoi aksidentin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos