
Një aksident ka ndodhur në galerinë e Tërnovës në Bulqizë, ku një minator që bënte njëkohësisht edhe detyrën e brigadierit ka rënë në furnelën e mineralit dhe është mbuluar nga masivi i kromit.
Shërbimet e kërkim-shpëtimit dhe të policisë ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për nxjerrjen e 40-vjeçarit.
“Rreth orës 13:00, në vendin e quajtur Tërnovë e Madhe, bashkia Bulqizë, shtetasi I. K., 40 vjeç, banues në Burrel, me detyrë minator/brigadier në një subjekt privat, dyshohet se ka rënë në një furnel gjatë procesit të punës. Paraprakisht dyshohet se 40-vjeçari është mbuluar nga materiali i kromit. Shërbimet e kërkim-shpëtimit dhe shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje dhe po vijojnë punën për lokalizimin dhe nxjerrjen e tij”, thuhet në njoftim.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. (A2 Televizion)