Investimet e vogla private, duke shfrytëzuar natyrën dhe traditën e zonave, shikohen si mundësia e vetme për ringjalljen e zonave rurale, të cilat po boshatisen dhe janë lënë në harresë edhe nga investimet e institucioneve shtetërore.
Një shembull i tillë është Strelca, në zonën e Gorës, në bashkinë e Maliqit. Një fshat me natyrë të përkryer dhe me një traditë kulinarie autoktone, po ndjen një ringjallje për shkak të investimit që ka bërë një nga ish-banorët e këtij fshati.
Edhe pse nuk ka jetuar vetë në këtë fshat, Erjon Kapedani vlerësoi natyrën ku lindi dhe u rrit i ati dhe vendosi që këtë bukuri t’ua ofrojë turistëve vendas dhe të huaj.
Dhe, në fakt, turistët e huaj e kanë gjetur këtë oaz çlodhës në mes të natyrës së paprekur.
"Vij nga Belgjika. Është hera e parë që vijmë. E gjetëm nëpërmjet Booking. Mendojmë se është një nga vendet më të bukura që kemi parë. Mikpritja të lë pa fjalë. Mësuam të gatuajmë ushqime shqiptare, ishte shumë e shijshme. Ia vlejti që erdhëm deri këtu."
"Vend fantastik, njerëz të mrekullueshëm. Përshtypja e parë është e mrekullueshme. Shqipëria është një nga vendet më të bukura që kemi parë."
Dhe, me sa duket, kjo eksperiencë po i shtyn edhe të tjerët në zonë që të investojnë në pronat e tyre.
Njësia Administrative Gorë përfshin 16 fshatra, të cilët po tërheqin gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj, veçanërisht ata që preferojnë turizmin e aventurës dhe natyrës, duke e kthyer këtë krahinë në një nga destinacionet e reja turistike të juglindjes së vendit. (A2 Televizion)