I nxehti i këtyre ditëve po jep pasoja edhe në juglindje të vendit veçanërisht tek të miturit e moshës pediatrike. Në urgjencën e pediatrisë së spitalit rajonal të Korçës paraqiten çdo ditë dhjetëra fëmijë me simptoma të ndryshme që kërkojnë ndihmën mjekësore.
Mjeku pediatër tregon llojet e virozave si dhe numrin e fëmijëve që paraqiten në urgjencën e pediatrisë. “Ka variuar nga 36-45 vizita në ditë, ku shumica janë raste me simptoma të traktit gastrointestinal. Kemi edhe simptoma të tjera, me temperaturë”, thotë për A2 CNN Robert Rado, shef i Pediatrisë, Korçë. “Pra këto dy lloje janë aktualisht në qarkullim në zonën tonë”.
Mjeku jep edhe këshillat për prindërit si në rastet e trajtimit të fëmijëve në kushtet e të nxehtit ashtu edhe në rastet kur shfaqin simptoma. “E para është që t’i kenë nën kontroll fëmijët, të mos i lejojnë të dalin në pikun e vapës, sepse temperaturat kanë qenë shumë të larta. Të pinë lëngjesh, të lajnë duart dhe të lajnë perimet e frutat para se të konsumohen”, tregon ai.
Aktualisht, në repartin e Pediatrisë në Spitalin rajonal te Korçës janë të shtruar 11 fëmijë. (A2 Televizion)