Shoqëria GENER 2 ka reaguar publikisht pas vendimit paraprak të dhënë nga Gjykata e Posaçme në çështjen e shpifjes, duke theksuar se ka zgjedhur të ndjekë deri në fund rrugën ligjore për t’u përballur me ato që i cilëson shpifje ndaj kompanisë dhe projekteve që zhvillon.
Në reagimin e saj, kompania bën me dije se procesi gjyqësor nuk ka përfunduar dhe se do t’i ndjekë të gjitha hallkat e gjyqësorit deri në një vendim përfundimtar.
Sipas GENER 2, vendimi i dhënë nga Gjykata e Posaçme trajton ekskluzivisht përgjegjësinë penale për veprën e shpifjes dhe nuk përbën një vlerësim mbi ligjshmërinë e projektit “Blue Borgo”, as nuk konfirmon pretendimet e ngritura publikisht ndaj tij.
Kompania thekson se projekti është zhvilluar në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe disponon të gjitha lejet, autorizimet dhe dokumentacionin e nevojshëm të lëshuar nga institucionet kompetente.
Reagimi i plotë:
Në lidhje me vendimin e dhënë dje nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në çështjen penale për akuzën e shpifjes, dëshirojmë të sqarojmë publikun se:
Vendimi trajton ekskluzivisht përgjegjësinë penale për veprën e shpifjes. Ai nuk përbën një vlerësim gjyqësor mbi ligjshmërinë e projektit “Blue Borgo” dhe nuk konfirmon vërtetësinë e pretendimeve të bëra publikisht ndaj tij.
Projekti “Blue Borgo” është zhvilluar në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe disponon të gjitha lejet, autorizimet, miratimet dhe dokumentacionin e pronësisë të lëshuara nga institucionet kompetente. Ligjshmëria e projektit buron nga këto akte zyrtare dhe jo nga deklarata apo interpretime politike.
Për rrjedhojë, çdo interpretim që e paraqet vendimin e djeshëm si konfirmim të akuzave ndaj projektit është i pabazuar dhe krijon një perceptim të pasaktë për publikun.
Ky vendim nuk është përfundimtar dhe procesi gjyqësor vijon në shkallët e tjera të gjyqësorit.
GENER 2 do të vazhdojë të mbrojë reputacionin dhe integritetin e kompanisë me të gjitha mjetet që parashikon ligji, duke mbetur e përkushtuar ndaj respektimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. (A2 Televizion)