Teologu Justinian Topulli, i ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, ka komentuar zhvillimet e fundit gjeopolitike në Lindjen e Mesme, duke i cilësuar ato si një përplasje me shumë dimensione politike, ekonomike, gjeostrategjike dhe fetare.
Sipas tij, përplasja lidhet edhe me rivalitetin tregtar mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Duke qenë se Kina ka një luftë tregtare me SHBA-të dhe SHBA-të kërkojnë stopimin e këtij revanshi kinez, një nga arsyet është edhe kjo luftë. Ndërkohë, anijet kineze vijojnë të marrin furnizimin me naftë nga Irani, dhe jo vetëm, por edhe nga vendet e Gjirit,” u shpreh Topulli.
Ai theksoi se konflikti ushqehet edhe nga qëndrimet e kahershme të kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu, i cili prej vitesh ka kërkuar një qasje më agresive ndaj Iranit. “Është një luftë edhe për kapriçot politike të Benjamin Netanjahut, i cili prej dekadash ka shprehur synimin për ta sulmuar Iranin,” shtoi ai.
Në analizën e tij, Topulli vuri në dukje edhe dimensionin fetar të konfliktit. Ai përmendi rrymën e ashtuquajtur kristiano-zioniste, e cila beson se forcimi i Izraelit dhe rikthimi i tempullit do të mundësojnë kthimin e Mesisë. “Kjo ide përfshin bindjen se pengesa për realizimin e këtij vizioni janë aktorë si Irani dhe forca të tjera në rajon,” tha ai.
Sipas teologut, feja shpesh përdoret si instrument në konfliktet moderne. Ai përmendi gjithashtu praninë e figurave politike në SHBA që lidhen me këto rryma besimi, duke sugjeruar se motivet fetare janë të pranishme, megjithëse jo të vetmet.
Në përfundim, Topulli e cilësoi situatën si një konflikt kompleks dhe shumëdimensional. “Lufta është politike, ekonomike, gjeostrategjike dhe fetare. Në thelb, ajo është edhe ilegjitime nëse i referohemi ligjit ndërkombëtar, pasi kemi një sulm të paprovokuar drejtpërdrejt, ndërkohë që zhvilloheshin bisedimet,” deklaroi ai. (A2 Televizion)