
Fshati Rëmenj në Bashkinë e Pogradecit ishte nga zonat e banuara më të prekura nga reshjet e dhjetorit të vitit të kaluar. Për pasojë edhe dëmet e shkaktuara në këtë fshat ishin tepër të mëdha. Krahas dhjetëra familjeve të cilat patën depërtim të ujit në banesa, dëme nga prurjet e shumta të përroit të fshatit u shkaktuan edhe në infrastrukturë rrugore. Në pjesën e sipërme të fshatit, të paktën në dy zona, ka pasur rrëshqitje të mureve mbajtës dhe çarje të trupit të rrugës, të cilat edhe sot, mbeten një rrezik i hapur për banorët e kësaj lagjeje dhe automjetet.

Gjendja është denoncuar edhe nga deputetja e Partisë Demokratike Ledina Alolli e cila teksa ka parë nga afër zonat e dëmtuara, ka bërë thirrje që institucionet vendore dhe qendrore të marrin masa të menjëhershme për të ndërhyrë në zonë, ajo apeloi që edhe institucioni i drejtësisë të nisë hetimet, mbi atë që Alolli e quajti abuzim i hapur me fondet dhe investimin e dobët të kryer në zonë.
Alolli shoqërohej në këtë denoncim edhe nga kreu i degës së PD Pogradec Oligert Muçllari i cili hodhi akuza ndaj Bashkisë Pogradec mbi investimet e dobëta që ky institucion ka kryer në shumë zona të territorit të saj.
Deputetja Alolli në përfundim tha se të gjithë banorët e kësaj lagjeje të fshatit Rëmenj rrezikojnë të izolohen nga pjesa tjetër e fshatit pasi shëmbjet janë tepër të rrezikshme.
Ndërkohë në një reagim të më hereshëm gjatë ditës nga ana e Bashkisë Pogradec, u deklarua se nga ana e firmës që ka kryer punimet në këtë lagje do të ketë ndërhyrje me punime provizore rehabilituese për të shmangur rreziqet, ndërsa shtoi se pranë Ministrisë së Bujqësisë janë dërguar dy projekte për rehabilitimin e argjinaturave të lumenjve Rëmenj dhe Vërdovë, ku krahas shtratit të lumenjve, në projektet që pritet të financohen nga kjo ministri, janë parashikuar edhe punimet për të ndërhyrë në rindërtimin e mureve mbajtës të cilët janë shembur si pasojë e prurjeve lumore. Me këto investime që pritet të kryhen, institucioni lokal garanton se do të zgjidhet një problem i kahershëm me rrezikun që shfaqin dy lumenjtë sa herë në raste reshjesh intensive. (A2 Televizion)