
Ka nisur sot aksioni për prishjen e ndërtimeve mbi kanalin e ujërave të larta, për zgjidhjen përfundimtare të problematikës së përmbytjeve në Vlorë.
A2 CNN raporton se ky aksion është pjesë e një plani të gjerë ndërhyrjesh për pastrimin dhe rehabilitimin e plotë të kanalit, me synim garantimin e funksionimit normal të tij dhe eliminimin e rrezikut të përmbytjeve që prej vitesh kanë sjellë pasoja për qytetin.
Ndërhyrja konsiston në largimin e strukturave të ndërtuara mbi kanal të cilat kanë penguar rrjedhën e ujërave dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatave gjatë reshjeve intensive.
Kryetarja e bashkisë, Bruna Mersini, ka theksuar se procesi do të zhvillohet në mënyrë të koordinuar, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe duke mbështetur nevojat e banorëve me programet për strehimin social.
Bashkia i bën thirrje të gjithë qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë zhvillimit të këtij aksioni. (A2 Televizion)