
Më 26 mars në Pallatin e Kongreseve do të mbahet eventi “Matchmaker Albania 2”, një platformë që synon të lidhë bizneset vendase me investitorë të huaj dhe të nxisë bashkëpunime konkrete në ekonomi.
Aktiviteti organizohet nga Agjencia Shqiptare për Zhvillimin e Investimeve (AIDA) dhe këtë vit pritet të mbledhë rreth 500 pjesëmarrës nga 25 shtete. Sipas organizatorëve, janë planifikuar mbi 300 takime B2B mes kompanive dhe aktorëve kryesorë të tregut.
Edicioni i dytë vjen pas një organizimi të parë që përfshiu mbi 40 shtete dhe më shumë se 500 investitorë, duke treguar interes të lartë për këtë lloj platforme bashkëpunimi.
Ndryshe nga viti i kaluar, këtë herë fokusi është vendosur te marrëveshjet konkrete dhe projektet e zbatueshme, me synimin për të prodhuar rezultate të matshme në zhvillimin ekonomik.
Matchmaker Albania 2 do të përqendrohet në katër sektorë kryesorë: pasuritë e paluajtshme dhe turizmi, bujqësia e modernizuar, transformimi digjital dhe energjia e pastër, fusha që konsiderohen me potencial për rritje dhe investime.
Përmes këtij eventi, synohet të forcohen lidhjet mes bizneseve, institucioneve dhe investitorëve, si dhe të promovohet Shqipëria si një destinacion në zhvillim për investime në rajon. (A2 Televizion)