Sot u zhvillua një protestë në Rrjoll, aty ku po realizohet investimi turistik, i konsideruar si një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit në veri të vendit. Banorët që pretendojnë pronësi, mbështetur dhe nga disa aktivistë nga Tirana, çanë rrethimin e kantierit të ndërtimit, ndërsa Policia ishte aty për të garantuar sigurinë. Në një sqarim publik kompania ndërtuese Gener 2 thekson se investimi po zbatohet mbi një bazë të plotë ligjore dhe me të gjitha lejet e nevojshme. Ekspertët vlerësojnë se projekte të tilla kanë potencial të sjellin vende të reja pune, investime afatgjata dhe zhvillim ekonomik për të gjithë zonën e Velipojës.
Disa banorë të zonës së Velipojës në Shkodër protestuan dhunshëm mbi investimin privat në Rrjoll, aty ku ka nisur të ndërtohet projekti turistik "Blue Borgo".
Shkak i protestës ishin pretendimet për pronësi nga një grup banorësh mbi një pjesë të territorit ku po realizohet investimi. Kjo edhe pse në mënyrë të përsëritur kompania GENER 2 ka sqaruar publikisht përmes dokumentacionit zyrtar se këto pretendime nuk mbështeten në dokumentacion të vlefshëm ligjor, duke theksuar se trualli është përfituar përmes transaksioneve të rregullta me poseduesit e titujve të pronësisë, shkruan A2.
Rrethimi i kantierit është vendosur në përputhje me kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë për mbrojtjen e qytetarëve dhe për vijimin normal të punimeve. Pavarësisht kësaj, protestuesit vendosën ta shembnin atë, duke dashur të bëjnë krahasime mes situatës në Rrjoll dhe protestave të zhvilluara më herët në Zvërnec.
Për ekspertët e ekonomisë, Ergis Sefa dhe Romina Radonshiq, projekte të kësaj natyre përfaqësojnë një mundësi të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të zonës, duke krijuar vende pune, duke rritur investimet dhe duke zgjeruar ofertën turistike të vendit.
Sipas tyre, projekti në Rrjoll ka karakteristika të ndryshme nga rastet e tjera të debatuara publikisht dhe duhet vlerësuar mbi bazën e dokumentacionit dhe ndikimit ekonomik që pritet të sjellë.
Përmes rrjeteve të saj sociale kompania GENER 2 theksoi edhe një herë se “Blue Borgo” është një projekt i zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin, me respekt për mjedisin dhe me një vizion afatgjatë për zhvillimin turistik dhe ekonomik të zonës dhe veriut të Shqipërisë.
Në këtë sqarim publik kompania thotë se analizat ekonomike tregojnë se investimi do të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm të zonës, duke gjeneruar aktivitet ekonomik dhe punësim gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm gjatë sezonit turistik veror.
Gener 2 thotë se do të respektojë ligjin dhe do të zbatojë standardet më të larta mjedisore dhe të sigurisë gjatë gjithë realizimit të projektit. (A2 Televizion)