Një tjetër ndryshim në Kodin Rrugor është edhe ashpërsimi i masave për sjelljet e rrezikshme në rrugë apo manovra, për të cilat, gjoba shkon deri në 60 mijë lekë. Këtë e bëri të ditur në një konferencë për shtyp drejtori i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci, teksa prezantoi ndryshimet e reja në Kodin Rrugor, të cilat synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e aksidenteve.
“Ashpërsimi i masave ndaj sjelljeve të rrezikshme në rrugë, mosrregullimit të shpejtësisë në rrugë me fushëpamje të kufizuar, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe shkeljet që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës, në zonat urbane, në afërsi të shkollave, kryqëzime apo edhe degëzime. Masa administrative për këtë shkelje është rritur nga 20 000 deri në 60 000 lekë”, tha Vatoci.
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit. Sipas Vatocit, nëse një drejtues ndëshkohet dy herë brenda të njëjtit vit për këtë shkelje, i pezullohet leja e drejtimit. Masa zbatohet edhe për përdoruesit e biçikletave, motomjeteve deri në 50 cc dhe monopatinave me motor.
Kodi i ri parashikon gjithashtu heqjen përgjithmonë të lejes së drejtimit për drejtuesit që rezultojnë me mbi 0.5 g/l alkool në gjak dhe që janë ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur.
Ndryshime të posaçme prekin edhe drejtuesit e rinj, që kanë marrë lejen e drejtimit gjatë 24 muajve të fundit, për sa i përket kufizimeve të shpejtësisë dhe drejtimit nën ndikimin e alkoolit.
Gjithashtu, është hequr mundësia që pezullimi i patentës të shmanget duke paguar dyfishin e masës maksimale të gjobës. Kur Kodi Rrugor parashikon pezullimin e lejes së drejtimit, kjo masë do të zbatohet automatikisht.
(A2 Televizion)