“Basha paralajmëroi për 21 janarin”, gazetari kujton ngjarjen

Nga A2 CNN
21 Janar 2026, 10:34 | Aktualitet

Gazetari Fatos Mahmutaj ka kujtuar sot, 15 vite pas 21 Janarit, përjetimin e tij personal nga dita e protestës që u mbyll me katër të vrarë para Kryeministrisë. Në emisionin “Dita Jonë”, Mahmutaj rrëfeu kronologjinë e ngjarjeve, duke theksuar se paralajmërimi për përshkallëzim dhune ishte bërë një ditë më parë nga ish-ministri i Brendshëm, Lulzim Basha.

Sipas tij, më 20 janar ai ishte caktuar nga redaksia për të ndjekur konferencën e shtypit të ministrit Basha përpara Drejtorisë së Policisë së Shtetit. I pyetur nga gazetarët nëse protesta e paralajmëruar mund të eskalonte në dhunë, Basha ishte shprehur:

“Ne nuk do të mbajmë përgjegjësi për atë që do të ndodhë nëse protesta eskalon në dhunë.”

Mahmutaj tha se ky paralajmërim u anashkalua nga mediat dhe nuk u trajtua me seriozitetin e duhur. “Kaloi thjesht si një prononcim normal, pa u vlerësuar rreziku real”, u shpreh ai.

Më 21 janar, sipas gazetarit, të gjitha mediat u përqendruan ekskluzivisht te protesta. Ai ishte një nga katër gazetarët e televizionit të tij në terren, në lidhje të pandërprerë me redaksinë. Në kulmin e tensioneve, iu kërkua të shkonte pranë Kullave Binjake, ku dyshohej se kryetari i opozitës, Edi Rama, po jepte një prononcim, por aty u bë e qartë se ai nuk ndodhej më në zonë.

Mahmutaj rrëfeu se dhuna e protestuesve ishte përqendruar tashmë drejt Kryeministrisë. Ai kaloi bulevardin dhe u ngjit në platformën e gazetarëve, ku ndodheshin rreth 20-25 persona, mes tyre edhe qytetarë që filmonin me celularë. Pikërisht aty, gjatë një transmetimi live, ndodhi momenti më dramatic, shkruan A2 CNN.

“Pashë qartë një nga gardistët që ndodhej te hyrja e bodrumit të Kryeministrisë të qëllonte drejt nesh. Flaka e armës ishte e dukshme. U qëllua nga disa drejtime, u krijua një mjegull baruti dhe ishte e qartë që zjarri po hapej drejt grupit tonë, drejt gazetarëve,” tregoi Mahmutaj.

Ai theksoi se në atë moment ishte i vetmi gazetar i mirëfilltë në platformë, ndërsa të tjerët ishin qytetarë që po filmonin ngjarjen. “Ishte një situatë kaotike dhe jashtë kontrollit, një moment që nuk harrohet kurrë,” përfundoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos