
80 kompani dhe 3000+ vizitorë biznesi u bënë pjesë e edicionit të pestë të Panairit të Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbër, një platformë për partneritete, shkëmbim ekspertize dhe hulumtimin e mundësive të reja në treg.
Tiranë, 20 nëntor 2026 – Panairi i Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbër u zhvillua më 19–20 nëntor në Pallatin e Kongreseve, duke bashkuar rreth 80 kompani, 3000+ vizitorë biznesi, 55 ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë dhe 15 panele diskutimi, si dhe prezantime të zgjidhjeve dhe inovacioneve në industri. Edicioni i pestë i panairit krijoi një platformë për ndërveprimin mes bizneseve, institucioneve, investitorëve, ekspertëve dhe profesionistëve, me fokus në zhvillimet e tregut, zgjidhjet teknologjike dhe mundësitë e bashkëpunimit në sektorët e energjisë, ndërtimit dhe ekonomisë së gjelbër.
Përmes ekspozimit të kompanive, prezantimeve, forumeve dhe diskutimeve, ECGE solli në një hapësirë të përbashkët çështje që po ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e këtyre sektorëve: transformimin e tregut energjetik, investimet në teknologji dhe infrastrukturë, eficiencën, standardet, financimin dhe nevojën për kompetenca të reja.
Energjia: nga kapacitetet prodhuese te një treg më fleksibël
Zhvillimi i burimeve të rinovueshme, konkurrueshmëria e tregut të energjisë dhe fleksibiliteti i sistemit energjetik ishin ndër çështjet qendrore të diskutimeve në ECGE 2026. Vëmendja u zgjerua përtej rritjes së kapaciteteve prodhuese, duke përfshirë rëndësinë e depozitimit të energjisë, potencialin e hidrogjenit dhe zgjidhjet që mund të mbështesin balancimin, sigurinë dhe zhvillimin e mëtejshëm të tregut.
Në këtë kontekst, Gledis Kalemi, Drejtor i Përgjithshëm i Politikave dhe Zhvillimit të Industrisë dhe Energjisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, trajtoi zhvillimet dhe perspektivën e sektorit, duke theksuar nevojën për të shfrytëzuar më mirë potencialin energjetik të Shqipërisë, në përputhje me mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimet e reja teknologjike e të tregut.
Diskutimi vuri në vëmendje edhe përshtatjen e kuadrit ligjor dhe rregullator me zhvillimet e reja në sektor, përfshirë depozitimin e energjisë, rolin e konsumatorit aktiv, infrastrukturën e karikimit dhe mekanizmat që mund të kontribuojnë në një treg energjetik më të zhvilluar dhe fleksibël.
Investimet dhe inovacioni u trajtuan si pjesë e rëndësishme e këtij transformimi, ndërsa prezantimet e kompanive ESAVING dhe VEGA Group solli në fokus rolin e investimeve dhe zgjidhjeve inovative në zhvillimin e sektorit energjetik.
Teknologjia dhe eficienca: zgjidhje që adresojnë nevojat e biznesit
Një nga dimensionet e ECGE 2026 ishte prezantimi i zgjidhjeve që e lidhin teknologjinë me nevojat konkrete të kompanive për eficiencë, monitorim dhe menaxhim më të mirë të operacioneve.
Si Partner Platin i panairit, Vodafone Business përmes demonstrimeve live në stendën e saj prezantoi zgjidhje inteligjente të orientuara drejt menaxhimit të energjisë, flotës, operacioneve në terren dhe përdorimit të të dhënave nga sistemet video. Përmes demonstrimeve praktike, vizitorët patën mundësinë të njihnin aplikimet e Collaborative Worker, Smart Vision, Smart Energy dhe Smart Fleet, duke parë se si këto teknologji mund të mbështesin komunikimin dhe koordinimin e ekipeve, monitorimin operacional, optimizimin e konsumit energjetik dhe menaxhimin e automjeteve.
Në kuadër të Smart Cities & Green Energy Forum, Jonida Lakuriqi, Drejtuese e Çështjeve Ligjore, Politikave Publike dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Vodafone Albania, solli një perspektivë mbi evolucionin e teknologjisë dhe potencialin e saj për të zgjeruar aksesin në komunikim, informacion dhe dije, duke theksuar: “Industria e telekomunikacionit e bëri komunikimin të aksesueshëm për të gjithë. Më pas, teknologjia digjitale e bëri informacionin të aksesueshëm për të gjithë. Sot, me Inteligjencën Artificiale, kemi mundësinë dhe përgjegjësinë ta bëjmë edhe dijen të aksesueshme për të gjithë.”
Mesazhi reflektoi një dimension më të gjerë të transformimit teknologjik, ku inovacioni nuk lidhet vetëm me zhvillimin e mjeteve dhe zgjidhjeve të reja, por edhe me mundësinë për t'i bërë njohuritë, informacionin dhe potencialin teknologjik më të aksesueshëm për bizneset dhe shoqërinë.
Prezantimet dhe diskutimet sollën një perspektivë praktike mbi përdorimin e teknologjisë në biznes, duke e zhvendosur fokusin nga konceptet smart te aplikimet konkrete që mund të përmirësojnë proceset, informacionin dhe vendimmarrjen.
Ndërtimi, standardet dhe infrastruktura e së ardhmes
Cilësia, siguria, standardet dhe përafrimi me kërkesat e Bashkimit Evropian ishin në fokus të forumit të organizuar nga Instituti i Ndërtimit në Shqipëri. Diskutimet adresuan rëndësinë e standardeve dhe praktikave të qëndrueshme në sektor, si elementë që ndikojnë në cilësinë e ndërtimeve, sigurinë dhe zhvillimin e një sektori më të orientuar drejt kërkesave dhe standardeve evropiane.
Forumi “Ndërtimi i destinacioneve dhe infrastrukturës së së ardhmes” e zhvendosi diskutimin drejt vizionit për qytetet, territoret dhe destinacionet e së ardhmes, duke vënë në fokus planifikimin, infrastrukturën dhe investimet që nevojiten për ta kthyer këtë vizion në realitet.
Përmes dy sesioneve, diskutimet u orientuan drejt potencialit të qyteteve dhe territoreve, mënyrës se si ndërtohen destinacione konkurruese dhe rolit të infrastrukturës, planifikimit dhe bashkëpunimit institucional në kthimin e vizionit në zhvillim konkret.
Bisedat e hapura gjatë dy ditëve me Znj. Elira Kokona, Drejtoreshë e Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe Z. Gledian Llatjan, Kryetar të Bashkisë Elbasan, sollën perspektiva mbi zhvillimin territorial, potencialin e destinacioneve dhe rëndësinë e një qasjeje të integruar ndaj investimeve dhe infrastrukturës së së ardhmes.
Financimi i investimeve dhe mundësitë e zhvillimit
Aksesi në financim dhe mekanizmat që mbështesin investimet në energji, eficiencë energjetike dhe ndërtesa u trajtuan gjithashtu në kuadër të ECGE 2026.
Në një kohë kur transformimi i sektorëve kërkon kapital, teknologji dhe projekte afatgjata, dialogu mes bizneseve, institucioneve financiare dhe aktorëve të tregut është i rëndësishëm për të identifikuar instrumentet e financimit, mundësitë e investimit dhe sfidat që lidhen me realizimin e projekteve.
Diskutimi mbi zhvillimin e financimit në këta sektorë e vendosi investimin në një perspektivë më të gjerë, si pjesë e transformimit të tregut dhe krijimit të mundësive të reja për bizneset.
Njerëzit dhe kompetencat në tranzicionin e gjelbër
Tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm një proces teknologjik dhe investues, por edhe një proces që ndryshon kërkesat për aftësi, profesionistë dhe organizim të punës. Ky dimension u trajtua përmes forumit mbi kapitalin njerëzor në tranzicionin e gjelbër organizuar nga Anisa Keri– People Pulse, ku vëmendja u orientua drejt kapitalit njerëzor, kompetencave dhe nevojave të tregut të punës.
Zhvillimi i sektorëve të energjisë, ndërtimit dhe ekonomisë së gjelbër kërkon gjithnjë e më shumë aftësinë për të përshtatur ekipet, për të zhvilluar kompetenca të reja dhe për të krijuar një bazë profesionale që mund të mbështesë ndryshimet në industri.
ECGE, një platformë për mundësi biznesi dhe zhvillim sektorial
Edicioni i pestë i Panairit të Energjisë, Ndërtimit dhe Ekonomisë së Gjelbër konfirmoi rëndësinë e platformave sektoriale që krijojnë hapësirë për ndërveprimin mes kompanive, dialogun me institucionet, prezantimin e zgjidhjeve dhe identifikimin e mundësive të reja të biznesit.
Përmes një qasjeje që ndërthur ekspozimin, takimet e biznesit, prezantimet dhe diskutimet sektoriale, ECGE synon të mbështesë lidhjen mes aktorëve të tregut dhe të kontribuojë në zhvillimin e një ekosistemi më të integruar për energjinë, ndërtimin dhe ekonominë e gjelbër në Shqipëri dhe rajon.
ECGE organizohet nga I-Exhibitions.
(A2 Televizion)