Eksperti i sigurisë ushqimore Alban Zusi foli në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN për rëndësinë e paketimit dhe etiketimit të produkteve ushqimore, duke theksuar se konsumatorët duhet t’u kushtojnë vëmendje të dhënave që shoqërojnë produktin.
Sipas Zusit, prania e etiketës dhe informacionit përkatës në produkt është një tregues se ai ka kaluar më shumë kontrolle dhe se prodhuesi merr më shumë përgjegjësi për cilësinë dhe sigurinë ushqimore.
“E vetmja gjë që ne mund të dallojmë është që paketimi të jetë le të themi sa më profesional, duke qenë paketimi sa më profesional dhe duke qenë me etiketa, jo thjesht një paketim plastik që s'ka asgjë në të, por një paketim i cili ka një etiketë. Etiketë, duhet të ketë të dhëna. Po pati etiketë dhe po pati të dhëna gjithmonë je më pak i rrezikuar. Ai që vendos etiketën dhe numrin e lotit aty në produkt, në kuti, aty je më pak i rrezikuar. Nuk them se ajo nuk ka probleme, por aty ka shumë më pak probleme. Pra, ka kaluar më shumë kontrolli, patjetër. Unë po i vura etiketën produktit tim do bëj çdo lloj përpjekje mos kem probleme me produktin”, tha Zusi. (A2 Televizion)