
Nga konferenca me titull “Nga konfiskimi tek e mira publike”, ministri i punëve të brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se gjatë vitit 2025 janë sekuestruar më shumë se 61 milionë Euro pasuri të krimit.
“Vetëm gjatë vitit 2025 janë sekuestruar qindra pasuri me vlerë mbi 61 milionë euro, ndërsa në administrim janë mijëra të të tjera të konfiskuara dhe sekuestruara. Këto nuk janë thjesht statistika, janë prova të forcës së institucioneve që ne po ndërtojmë dita-ditës”, tha Lamallari, përcjell A2 CNN.
Sipas tij sfida më e madhe nuk është konfiskimi i tyre, por kthimi në shërbim të qytetarëve. “Pyetja më e rëndësishme është çfarë bëjmë me këto pasuri pasi ato konfiskohen. Ne kemi zgjedhur një model shumë të qartë, pasuritë e krimit nuk mund të humbasin, nuk mund të degradojnë dhe as të mbeten rrangullina. Duhet të kthehen në shërbim të komunitetit”, shtoi ai.
Konferenca u organizua nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK). Në takim mori pjesë edhe i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së, Andre Rizzo, përfaqësues të lartë të institucioneve shqiptare, partnerëve ndërkombëtarë dhe ekspertëve nga vende të ndryshme të botës.
Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, theksoi se lufta kundër krimit të organizuar nuk përfundon me sekuestrimin apo konfiskimin e aseteve kriminale, por vijon me administrimin profesional, transparent dhe eficient të tyre, si edhe me kthimin e këtyre pasurive në dobi të qytetarëve dhe komunitetit.
Ajo nënvizoi se autoritetet shqiptare kanë marrë një angazhim ndërkombëtar që të paktën 50% e pasurive të konfiskuara të përdoren në funksion të institucioneve ligjzbatuese dhe komunitetit, objektiv që sipas saj është tejkaluar gjatë vitit 2025.
Xhaja theksoi se AAPSK ka kontribuar me fonde dhe pajisje për Policinë e Shtetit, SPAK, Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe institucione të tjera të sistemit të drejtësisë. Gjithashtu ajo solli në vëmendje edhe raste konkrete të transformimit të pronave të konfiskuara në hapësira komunitare dhe projekte në shërbim të qytetarëve, në bashkëpunim me pushtetin vendor.
Kryeadministratorja e AAPSK theksoi se evoluimi i formave të krimit financiar, përdorimi i teknologjisë dhe kompleksiteti në rritje i aseteve kriminale kërkojnë forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbim të vazhdueshëm të eksperiencave dhe praktikave më të mira.
Konferenca vijoi me panele diskutimi mbi koordinimin ndërinstitucional në procesin e konfiskimit, administrimin e pasurive kriminale dhe modelet e ripërdorimit social të tyre, me pjesëmarrjen e ekspertëve dhe përfaqësuesve nga Shqipëria, Bashkimi Europian dhe vende të tjera partnere. (A2 Televizion)