“Lindi me autizëm, 15 muajshe e shfaqi”, rrëfimi emocional i emigrantes për vajzën

Nga A2 CNN
26 Maj 2026, 08:55 | Aktualitet

Çelestina Mirukaj, nëna e një vajze me spektrin e autizmit me emrin Marilyn, foli në një lidhje direkte nga Nju-Jorku për emisionin “Dita Jonë” në A2CNN, duke ndarë një rrëfim emocional.

Mirukaj ndau vështirësitë dhe sfidat me të cilat është përballur familja pas ndryshimeve që vajza shfaqi në moshën 15-muajshe, ndërsa theksoi rëndësinë e ndërgjegjësimit dhe gjithëpërfshirjes për fëmijët me autizëm.

Më vjen mirë që flitet më shumë sepse rritet ndërgjegjësimi, rritet edhe pranimi, shohim edhe gjithëpërfshirje, dhe të gjitha këto janë gjëra shumë të mira për një botë më të bukur që duam të ndërtojmë për fëmijët tanë. Marilyn është fëmija jonë i parë. Ka qenë vërtet një mrekulli. Vitin e parë nuk është se kishte diçka të theksuar, përveç faktit që kur i thirrja në emër nuk përgjigjej. Kur i thoja ‘I love you’, kthehej duke buzëqeshur. Pediatrja më tha mbase i thua ‘I love you’ kaq shumë saqë mendon se është emri i saj. Ajo kishte shumë të drejtë sepse ia thoja gjatë gjithë kohës, edhe kur ishte në gjumë. Shenjat e tjera nuk është se i kishte aq të dukshme. Pasi mbushi 15 muajsh kaloi një virozë, dhe për një javë pati një ndryshim si dita me natën, një regres total në çdo gjë, nga gjumi, ushqimet, reagimet, sikur ra në një gjumë dhe s’po e zgjoja dot. Ajo kaloi një lloj traume dhe ndaloi komplet ushqimi. Nga ajo ditë deri më sot ka qenë një rrugëtim shumë i gjatë me ushqimin.(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos