Aktivisti Baki Goxhaj ka rrëfyer në emisionin “Puls” nga Bruna Çifligu në A2CNN përvojën e tij me aktivistët e tjerë në flotiljen pro Palestinës dhe trajtimin që, sipas tij, aktivistët morën nga ushtria izraelite pas ndalimit të misionit humanitar. Ai tregoi se aktivistët u mbajtën për orë të tëra të gjunjëzuar, ndërsa përballeshin me dhunë nga ushtarët.
“Ishte diçka që e kisha menduar prej kohësh, erdhi si rrjedhim gjatë ekspozimit të gjenocidit të Gazës. I kam ndjekur aktivisht të gjitha zhvillimet dhe jam përpjekur të ngre zërin. Aspekti human ishte parësor. Unë s’e pranoj dot të rri duarkryq, ndërkohë që mediat të shfaqin çdo ditë vrasje fëmijësh. Njeriu i parë me të cilin e ndava këtë ide ishte ime shoqe. E priti me ankth, por kam pasur mbështetjen e saj të plotë dhe pa mëdyshje. Kam qenë shumë i fokusuar te misioni. Nëna dhe miqtë e mi e kanë marrë vesh kur publikova videon që iu bashkova misionit. Shqetësimi ishte në nënvetëdije sepse pritej që një nga përfundimet e misionit ishte që të kapeshim, të rrëmbeheshim në ujëra ndërkombëtare, siç ndodhi. Të gjithë pjesëmarrësit në mision kanë pasur një shpirt shumë të lartë", tregon aktivisti.
"Gjithçka kam marrë ishte solidaritet, dëshirë për të ndryshuar botën dhe në asnjë rast s’kam parë mëdyshje për këtë mision. Personalisht s’kisha frikë sepse isha përgatitur edhe për skenarin që çdo gjë do shkonte keq. Meraku ekzistonte, por frika jo. Ishim 430 veta dhe frika mund të ketë qenë prezente, është gjë normale, por në mendjen time frika s’ka kaluar. Ata e shihnin këtë mision si diçka normale, si thirrje të brendshme, si pjesë të jetës. Ushtarët ishin të dhunshëm dhe situate që krijonin ishte ankthioze”, vijon ai. (A2 Televizion)