Bllokoi marrëveshjen Rama-Meloni, kërcënohet me vdekje gjyqtarja

Nga A2 CNN
24 Tetor 2024, 22:32 | Aktualitet

Një nga gjyqtarët e trupit gjykues të Gjykatës së Romës që rrëzoi marrëveshjen Rama-Meloni për emigrantët, ka marrë së fundmi një kërcënim me vdekje nga persona ende të panjohur.

Gjyqtarja italiane Silvia Albano tregoi për mediat italiane, se menjëherë pasi është kërcënuar ka shkuar në Prokurorinë e Romës ku ka bërë një kallëzim.

Për këtë incident ka reaguar dhe Shoqata e Magjistraturës Demokratike, ku Silvia Albano është president.

“Fushata e diskreditimit kundër gjyqtarëve të Romës dhe në veçanti Silvia Albanos ka kontribuuar në krijimin e një klime të kontestuar dhe urrejtjeje, që ka degraduar në kërcënime të rënda mbi sigurinë dhe jetën e saj”, thuhet në njoftim.

Shoqata e Magjistraturës Demokratike ka kërkuar gjithashtu nga autoritetet përkatëse që të mbajnë përgjegjës personat që kanë ushqyer diskreditimin dhe urrejtjen ndaj gjyqtarëve dhe institucioneve të drejtësisë.

Për momentin lidhur me kërcënimin ndaj gjyqtares Silvia Albano nuk ka pasur të arrestuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos