Vendoret, Begaj zyrtarizon 9 majin, Presidenti: E kërkoi PSD e Tom Doshit dhe Celibashi

Nga Fjorela Beleshi
30 Tetor 2026, 19:04 | Politikë

Presidenti Bajram Begaj nuk surprizon, por zyrtarizon 9 majin, datën për zgjedhjet vendore e cila përflitej prej javësh në korridoret e mazhorancës socialiste. Kreu i shtetit dekretoi datën që i dha partia e Tom Doshit, kryekomisioneri Ilirian Celibashi dhe që përkrahej nga PS.

“Komisioneri sugjeroi datën 9 maj, ditën e fundit të kalendarit, me arsyetimin se kjo datë jep më shumë kohë për masat zbatuese. Partia Socialdemokrate gjithashtu parapëlqen këtë datë. Data 9 maj nuk është e lidhur me asnjë rezervë apo paragjykim për favorizim të palëve të caktuara apo për ndikim potencialisht të dëmshëm në vullnetin e lirë dhe të pandikuar të zgjedhësve”, sqaroi Presidenca.

Të vetmin që i shkuan këtë të premte në zyrat provizore në Pallatin e Brigadave ishte PS, PSD dhe KQZ, pasi demokratët refuzuan të ulen në një tryezë me kreun e shtetit duke e akuzuar atë “shërbëtor” të Edi Ramës.

Bajram Begaj nuk priti as një ditë të mendohej për 9 majin apo të shfrytëzonte të gjithë kohën që kishte në dispozicionit, 7 nëntorin. Madje dekretoi datën e zgjedhjeve pa marrë një vendim për hartën e re territoriale që sipas burimeve nga Presidenca e mban në zyrë që prej 12 tetorit.

Nëse deri të hënë kreu i shtetit hesht, harta e socialistëve me 46 bashki hyn në fuqi. Pas të hënës pritet të futet në lojë edhe PD e cila ka paralajmëruar që do ta çojë hartën territoriale që u miratua në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca në Kushtetuese.

Kjo gjykatë do të vendosë nëse zgjedhësit shqiptarë me 9 maji do të votojnë për46 apo 61 kryetarë dhe këshilla të bashkive.

Ashtu si Presidenti Bajram Begaj, edhe Kryeministri Rama nxitoi duke  udhëzuar drejtuesit politik të tij që të merren me përgatitjet për zgjedhjet dhe kandidatët për kryetarë bashkie. Dilema mbetet ende Tirana, kujt do t’ia besojë Edi Rama kryeqytetin?! (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos