
Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikë, një prej viktimave të protestës së 21 Janarit të vitit 2011, ka mbërritur në ambientet e SPAK për një takim me titullarin e këtij institucioni, Klodian Braho.
Sipas burimeve për A2 CNN, takimi është kërkuar nga vetë xhaxhai i Aleks Nikës.
Kujtojmë se më 21 janar të këtij viti, Mark Nika deklaroi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, se gjatë takimit me prokurorin e çështjes ai ka kërkuar përshpejtim të hetimeve që deri tani sipas tij janë zvarritur. Ai deklaroi gjithashtu se të afërmit e viktimave të 21 Janarit kanë kërkuar që prokuroria të marrë në pyetje edhe kryeministrin Edi Rama për ngjarjet e asaj dite.
“Janë 15 vjet që ne vuajmë dhe lotët nuk na ka pushuar për një drejtësi të munguar. Koha për politikanët dhe pushtetarët e diplomatët e huaj ka mbaruar. Tani kemi të bëjmë me një çështje penale. Shpresat e fundit për të bërë drejtësi dhe për të ndëshkuar urdhëruesit, vrasësit e vërtetë të 21 Janarit janë në duart e hetuesve dhe të prokurorëve të SPAK-ut. Siç jeni në dijeni dhe nga shtypi, prokuroria e posaçme po bën hetime të plota për të identifikuar autorët, urdhëruesit e vrasjes të kësaj dhe tragjedisë së 21 janarit. Kërkova për të ditur se në çfarë statusi ndodhet hetimi i kësaj çështjeje. Prokurori më shpjegoi se vazhdojnë hetimet dhe për të përcaktuar kërkesat që kërkon edhe ligji për vrasjen e protestuesve se cilët janë fajtorët, si gardistët apo qytetarët e vrarë. me thënë të drejtën ka një zvarritje pakuptimtë”, tha xhaxhai i Aleks Nikës në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas tij dosja është masakruar nga prokuroria e Tiranës dhe gjykatat, duke larguar dokumente që mund të arrinin në një përfundim më të shpejtë.
“Është e vështirë sepse është një dosje sipas nesh e masakruar nga prokuroria e Tiranës dhe gjykatat nga e parë te gjykata e lartë që për mua mbajnë përgjegjësi, sepse kanë larguar nga dosja edhe dokumente që mund të arrinin në një përfundim më të shpejtë. Kërkojmë të përshpejtojmë hetimet dhe të pyeten edhe ne kemi bërë dhe memo të pyeten edhe personat e tjerë që janë përcaktuar ose kërkuar nga ana jonë në prokurorinë speciale duke filluar nga ish-prokuroria e përgjithshme dhe ish-kryeministri dhe kryeministri aktual dhe persona të tjerë nga garda, nga shërbimet civile si ishin atë ditë në nga policia atë ditë”, theksoi ai në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN. (A2 Televizion)