
Deputeti i PS Erion Braçe ka reaguar për aksidentin tragjik që ndodhi sot në Spitallë të Durrësit, ku humbën jetën dy fëmijë dhe u plagos rëndë një i tretë, ndërsa po luanin në trotuar.
Ndërsa poston videon nga vendngjarja deputeti socialist e konsideron ngjarjen një vrasje me dashje dhe jo një aksident.
Braçe shprehet se po e poston videon ashtu siç është, ku dëgjohen klimthat e prindërve dhe njerëzve në rrugë, sepse sipas tij duhet të binden të gjithë kolegët për ndryshimin e Kodit Rrugor dhe Kodit Penal “për ta cilësuar një akt të tillë siç është, vrasje”.
"Kështu u vranë dy fëmijë dhe u plagos një i tretë, sot, ditën për diell! U vranë sepse vrasje është! Madje vrasje me dashje! Nuk është aksident por vrasje me dashje! Po e postoj videon ashtu siç është, me zhurmën e makinës, zhurmën e përplasjes, zhurmën e marrjes zvarrë të fëmijëve, klithmat e prindërve e njerëzve të tjerë në rrugë; këto pamje! e di, e rëndë është;
por dua ta dëgjoj kështu, ta dëgjojnë kështu edhe kolegë të mi deputetë të çdo ane, për t’u bindur për të ndryshuar atë kod rrugor dhe atë kod penal për ta cilësuar një akt të tillë siç është, vraaaaaaaaaasjeeeeeeeeeee!", shkruan Braçe në postimin e tij.
“Duhet ta bëjmë tani, ta bëjmë menjëherë! siç bëmë atë ndryshimin për parkimin dysh e që edhe pse është në fuqi, nuk e zbaton kërkush; ta bëjmë me atë shpejtësi e vendosmëri, por për ta zbatuar si qytetarë, policë, prokurorë e gjyqtarë! mbase vetëm duke ndëshkuar kështu - siç për vrasje me dashje në rrugë - mund t’i ndalim vrasësit të dalin në rrugë!”, vijon mesazhin e tij deputeti socialist.
Kujtojmë që katër fëmijë ishin duke luajtur në trotuar në momentin që mjeti tip “Benz ML” i drejtuar nga Nikoll Radaçi, përplasi tre të mitur, ndërsa një i katërt i shpëtoi mrekullisht aksidentit.
Dy fëmijë humbën jetën menjëherë në vendngjarje, ndërsa fëmija i tretë u transportua në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë. Dyshohet se drejtuesi 57-vjeçar i makinës tip “Benz ML” ishte i dehur në timon.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar më herët edhe Presidenti Bajram Begaj si dhe kryeministri Edi Rama.
(A2 Televizion)