Qindra besimtarë ortodoksë por jo vetëm janë mbledhur në manastirin e Kolkondas në Libofshë të Fierit ku prehet një prej shenjtorëve më të respektuar, Shën Kozmai. Në fakt pelegrinazhi në këtë manastir filloi që mbrëmjen e së dielës për t’u kremtuar me meshat gjatë ditës së hënë. Për teologun Mirton Çako, Shën Kozmai nuk predikonte vetëm besim, por edhe arsim dhe mirësi.
Nuk mungonin as qytetarë dhe përfaqësues lokal nga Greqia për të nderuar Shën Kozmain.
"Po flasim për Shën Kozmanë -ose Çoban Baba, siç e quajnë vllehët. Unë vetë jam vlleh me origjinë nga Mecova. Që nga viti 1991 vij këtu pothuajse çdo vit, që kur këto ambiente ishin ende gërmadhë nën dhe. Është një figurë me rëndësi të madhe fetare e shoqërore, ndaj vij gjithmonë për ta nderuar. Këtu pranë është edhe Manastiri i Ardenicës. Të gjitha këto vende kanë një histori që i bashkon dy popujt tanë, Greqinë dhe Shqipërinë", tha Alexandros Kachrimanis, Guvernator i Rajonit të Epirit në Greqi.
Manastiri ku kremtohet dita e Shën Kozmait, u ndërtua nga Ali Pashë Tepelena, miqësia me të cilin duket se i kushtoi edhe jetën të shenjtit Kozma, që sipas gojëdhënave u vra nga Kurt Pasha, në 24 gusht 1779 , në shenjë hakmarrjeje të miqësisë së tij me Ali Pashë Tepelenën, ndërsa trupi i tij u gjet po në të njëjtën ditë në lumin Seman nga një prift i zonës. (A2 Televizion)