Elbasani u bë kryeqyteti i festimeve për Ditën e Verës. Që prej orëve të para të mëngjesit, bulevardi kryesor u mbush plot me qytetarë. Aktivitetet filluan me karnavalet e nxënësve, të cilët përmes veshjeve dhe pankartave përcollën mesazhet e tyre.
Ballokumja dhe verorja janë dy karakteristikat e kësaj feste. S'mund të quhet festë nëse nuk provon ballokumet e Elbasanit, çmimi i të cilave ka ndryshuar nga vjet. Gjatë bulevardit ishte i hapur edhe panairi i zejeve. Zonja Xhemile Bullari ka ekspozuar punimet e saj dhe thotë se ka ende shume interes për veshjet tradicionale.
Elbasanin e zgjodhën edhe qytetarë nga Shkodra e Kosova, të cilët shijuan festën dhe gatimet tradicionale. Por nuk munguan as incidentet. Rrugët e bllokuara sollën vështirësi në qarkullim.
Nga skena ku u zhvillua koncerti, u lëshuan thirrje të vazhdueshme për një fëmijë të humbur. Pas mesdite edhe numri i qytetarëve u pakësua, ndërsa për më të rinjtë koncerti ishte përmbyllja e Ditës së Verës. (A2 Televizion)