“Masa e arrestit me shtëpi ka për qëllim goditjen e opozitës, për qëllimet e vetë pushtetit.”
Kështu u shpreh e bija e ish-kryeministrit Sali Berisha, Argita Malltezi, në një konferencë për mediat, përkrah avokatëve mbrojtës të babait të saj dhe bashkëshortit, Jamarbër Malltezi, të cilët akuzohen për korrupsion në lidhje me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.
Sipas Malltezit, Berisha dhe bashkëshorti i saj qëndrojnë në arrest shtëpie pa asnjë provë apo dëshmi, që do të mund të tregonte se kanë pasur rol në tjetërsimin e pronave në çështjen “Partizani”.
“Çështja nisi nëpërmjet diktatit politik, teksa Taulant Balla bëri një kallëzim penal, që ngriti disa pretendime, për të cilat SPAK më pas tha se janë akuza të vlefshme. Balla ka bërë kallëzim të rremë, ne e kemi kallëzuar dhe në SPAK nuk ka nisur procedim penal. Në çdo moment që Rama ka bërë presion ndaj SPAK për marrjen të pandehur të Sali Berishës apo familjes së tij, SPAK ka intensifikuar hetimet”, tha Malltezi teksa në ekran shfaqeshin video ku kryeministri kërkonte nga Prokuroria e Posaçme hetimin për këtë çështje. (A2 Televizion)