Çfarë duhet për arsim cilësor në vend? Ish-ministri Tafaj: Kemi nevojë urgjente për një reformë të thellë

Nga A2 CNN
31 Janar 2024, 18:05 | Aktualitet
 

Çfarë duhet për arsim cilësor në vend? Ish-ministri

Mësuesit janë në pritje të rritjes së pagës mesatare, një pjesë e strategjisë së qeverisë për të frenuar largimet nga vendi dhe për një arsim cilësor, ku mësuesit vlerësohen sipas meritës. Por, përveç pagave më të mira, për çfarë ka nevojë sistemi ynë arsimor dhe i edukimit?

Për këtë çështje foli në Ditarin e pasdites nga Bruna Çifligu në A2 CNN ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ai theksoi se Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë për sistemin për përgatitjen e mësuesve.

“Çdo program i ri është një gjë pozitive. Programe për zhvillimin profesional të mësuesve ka pasur prej 25 vjetësh. Mesa kam dëgjuar, ky është një reagim pas rezultateve të PISA-s, të cilat ishin në ato përmasa negative që askush nuk i priste. Një nga faktorët kryesore që përcakton rezultatin e nxënësve është mësuesi. Programi është një çështje pozitive, por e pjesshme. Ne kemi nevojë për një reformë të thellë nëse duam të kemi mësues të mirë për të ardhmen.

Paralelisht, duhet punuar fortë me rishikimin tërësor të të gjithë sistemit të përgatitjes së mësuesve në Shqipëri. E kemi shumë urgjente dhe të fillojmë me këtë, por shumë urgjente është edhe kjo tjetra. I gjithë sistemi kërkon një rishikim dhe modele ka plotë në botë.

Ne, nje vend kaq i vogël dhe me kaq pak nxënës, nuk mund të kemi luksin dhe të pretendojmë dhe të mbajmë në sistem mësues që zotëeron një lëndë. Kjo rritje e kompetencës së mësuesit fillon në përgatitjen universitare dhe duhet të fillojmë që atje”, tha Tafaj.

Sa i përket pagës, e cila synon të shkojë deri në 950 euro, dhe testimeve që mësuesit do të bëjnë, ish-ministri u shpreh se kjo gjë duhet të ishte bërë shumë më herët.

“Shumë vonë pagesë përmes meritës. Kryeministri foli për shterimin e burimeve njerëzore në Shqipëri. Te mësuesia kemi rënie shumë të shpejtë të numrit të mësuesve. Pagën 800 euro e kemi propozuar në vitin 2021 dhe kjo është një gjë tërësisht e humbur. Shqipëria ka sot 10 mijë mësues krahasuar me 10 vite më parë. Nga 39 mijë 40 mijë, sot kemi rreth 30 mijë mësues. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë dhe kjo pagë shpresoj që të nxisë të rinjtë të zgjedhin mësuesinë”, tha ish-ministri. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos