Fermerët që kultivojnë drufrutorë në zonën e Myzeqesë prej disa vitesh rresht kanë ngelur në dorë të kushteve atmosferike, të cilat sa vijnë dhe bëhen më të çrregullta. Ata ankohen se nuk kanë asnjë orientim dhe aq më pak ndihmë nga seksionet e bujqësisë, përballë ndryshimeve të forta klimatike që po u dëmtojnë vit pas viti prodhimet.
Ndryshimet klimatike që vitet e fundit sa vijnë dhe bëhen më të theksuara, i kanë gjetur të papërgatitur dhe rrjedhimisht edhe të pambrojtur fermerët shqiptarë, veçanërisht ata që kultivojnë drufrutorë. Në Barbullunjë të Lushnjes, që është një zonë e njohur në pemëtari, kryesisht në kultivimin e pjeshkës, fermerët tregojnë se kanë ngelur në mëshirë të kushteve atmosferike, duke kërkuar ndihmë nga autoritetet e bujqësisë si dhe nga agronomët, të cilët sipas tyre nuk lëvizin nga zyra dhe aq më pak nuk i kanë orientuar fare se si të përballojnë ndryshimet klimatike.
Ata shprehen se nëse dalin me humbje një vit, kjo jep pasoja të rënda ekonomike tek ata për të paktën tre vitet e ardhshme.
Pjesa kryesore e prodhimit të drufrutorëve në këtë zonë shkon e gjitha për eksport dhe këtë vit prodhimi dhe cilësia janë në dorë të motit. (A2 Televizion)