Tonelata të tëra me shalqinj vijojnë të dergjen në arat e zonës së Frakullës, pa u vjelë, pasi mungon interesi si nga tregtarët vendas, ashtu edhe për eksport. Fermerët shprehen të shqetësuar për këtë situatë të paparashikueshme, ndërsa kostot e mbjelljeve kanë qenë më të larta këtë vit.
Vit pas viti, fermerët në zonën e Frakullës në Fier përballen me problematika gjithnjë e më serioze sa i takon mungesës së tregut dhe çmimit të ulët të kulturave bujqësore.
E njëjta situatë po ndodh edhe tani, që është piku i sezonit të shalqinjve. Tonelata të tëra me këtë kulturë ndodhen ende në ara, pasi, sipas fermerëve, në mënyrë të çuditshme dhe të pashpjegueshme mungon fare interesi nga tregtarët, shkruan A2CNN.
Përpjekjet dhe shpresa për të dalë të vetëm në tregun e produkteve bujqësore gjithnjë e më shumë po u shkaktojnë humbje fermerëve, të cilët, të paorientuar, po mbjellin me kosto të larta, nuk po arrijnë të marrin subvencione dhe natyrisht janë të pafuqishëm në tregun e lirë. (A2 Televizion)