
Vijon beteja me zjarret në Fier, pas një nate të vështirë ku flakët përfshinë disa zona dhe rrezikuan banesa, biznese dhe banorë. Të favorizuara nga era e fortë, vatrat u përhapën në Fermë Çlirim, Radostinë, Levan, Peshtan i Vogël, Frakull dhe Zhupan, ndërsa gjatë natës ndërhyrja u vështirësua nga errësira dhe terreni i thyer.
Situata më problematike u paraqit në kodrat e Levanit dhe Radostinës, ndërsa flakët avancuan edhe në drejtim të Peshtanit. Me zbardhjen e ditës operacioni ka rifilluar me forca të shtuara, ndërsa 90 efektivë të Forcave të Armatosura të repartit të Poshnjës janë angazhuar në vatrën e Frakullës. Operacioni vijon për izolimin dhe vënien nën kontroll të flakëve, pas një dite ku zjarret prekën rëndë gjashtë fshatra të qarkut të Fierit.
(A2 Televizion)