Eksperti i industrisë ushqimore, Kapllan Sulaj, ka ngritur shqetësimin për rritjen e pranisë së mikroplastikës në ushqime, veçanërisht në frutat e detit, gjatë një interviste në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN.
Sipas tij, në Shqipëri fenomeni është përkeqësuar ndjeshëm gjatë 30 viteve të fundit, kryesisht për shkak të rritjes së përdorimit të paketimit plastik dhe ndotjes së mjedisit. “Mbetjet plastike që hidhen në natyrë degradojnë në grimca shumë të vogla, deri në përmasa mikronike, duke u kthyer në mikroplastikë që futet në zinxhirin ushqimor,” shpjegoi ai.
Sulaj theksoi se mikroplastika tashmë është një kontaminant i përhapur, i cili depërton në organizmat e gjallesave përmes mjedisit të ndotur. Sipas tij, shumica e produkteve ushqimore sot janë të paketuara në plastikë, çka rrit më tej ekspozimin.
Eksperti paralajmëroi se rreziku nuk kufizohet vetëm te njeriu, por prek të gjithë ekosistemin, përfshirë faunën ujore dhe tokësore. “Plastika futet në organizmin e kafshëve, bimëve dhe veçanërisht në gjallesat ujore, si peshqit dhe molusqet,” tha ai.
Ai nënvizoi se frutat e detit janë ndër produktet më të rrezikuara, pasi mjedisi ujor grumbullon sasi të mëdha mbetjesh plastike dhe nanoplastike. Për pasojë, këto organizma thithin më shumë mikroplastikë se çdo kategori tjetër ushqimore.
Sipas Sulajt, rreziku mbetet i lartë edhe kur produktet janë të freskëta, pasi grimcat e mikroplastikës depërtojnë në inde dhe qeliza.
“Ky është ky është dhe problemi më kryesor sot në botë në lidhur me shëndetin e njeriut dhe shëndetin e gjallesave të tjera. sepse plastik nuk thith, nuk plastika nuk futet vetëm në organizmin e njeriut, futet në organizmin e kafshëve, në organizmin e bimëve, futet në molusqe, në peshk, në të gjitha gjallesat. Frutat e detit dhe gjallesat ujore janë kryesisht absorbojnë ose thithin më tepër plastikë se të gjitha gjallesat e tjera, sepse është mjedisi ujor ai që grumbullon me shumicë mbetje plastike dhe nanoplastike. Rreziku është i lartë, edhe kur është produkti i freskët, sepse mikroplastike është e futur në inde dhe qeliza, janë pjesa aq të vogla sa nuk kanë barriera. Mënyra e gatimit sjell edhe toksikantë të tjerë sepse mikroplastika nxehet”, tha ai.
(A2 Televizion)