Pse adoleshentët vuajnë nga ankthi? Kriza që po përjetojnë sot

Nga Armend Pire
30 Mars 2026, 16:06 | Aktualitet

“Gjenerata Z, të lindur me telefon në dorë, të pakapshëm, janë në një botë tjetër” – këto janë disa nga shprehjet që dëgjohen shpesh. Të lindurit pas viteve 2000 përbëjnë një “surprizë” për prindërimin, jo vetëm për botëkuptimin e tyre, por edhe për mënyrën e edukimit dhe mirërritjes.

Megjithatë, sot adoleshentët po përballen gjithnjë e më shumë me probleme të shëndetit mendor, ndryshe nga brezat e mëparshëm. E ftuar në studion e emisionit “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, psikologia klinike Prof. Asoc Besmira Lahi tregoi se 1 në 4 adoleshentë vuajnë nga ankthi.

“Sfidat për rritjen e një adoleshenti nga prindër, menaxhimi i një adoleshenti në mjediset edukative, shkollore apo universitet ka nisur të rritet me kalimin e viteve. Veçanërisht vitet e fundit pas pandemisë është vënë re një rritje e dukshme e çrregullimit të ankthit dhe të depresionit tek adoleshentët në mbarë botën. Kjo është raportuar edhe tek adoleshentët në Shqipëri. Të dhënat e UNICE në 2021 raportojnë që një në katër adoleshentë raporton çrregullime të ankthit dhe të depresionit. Shifrat janë alarmante në të gjithë botën. Ka një krizë të shëndetit mendor tek adoleshentët”, tregoi psikologia klinike.

Gjatë periudhës së vështirë, por kalimtare, të adoleshencës, të rinjtë kanë nevojë për mbështetje të dyfishtë. Përveç familjes, rol të rëndësishëm luajnë edhe psikologët, të cilët ndihmojnë prindërit në këtë rrugëtim të përbashkët. Megjithatë, në Shqipëri vazhdon të ketë hezitim për këtë proces.

“Ka një hezitim, një rezistencë nga ana e prindërve. Prindërit shqiptarë janë shumë të kujdesshëm, janë prindër heronj. Ndoshta ngaqë duan të bëjnë shumë gjëra nganjëherë ë hezitojnë të kujdesen edhe për veten e tyre. Shpesh herë nuk ka një informacion psikoedukues shumë të mirë në lidhje me çfarë ndodh kur raportohen situata të tilla nga fëmija im adoleshent. Çfarë mund të bëjë një psikolog klinicist? Çfarë ndodh brenda asaj të zyrës së psikologut klinik? Disa akoma e supozojnë që aty bëhet një magji, flitet për gjëra abstrakte ku në fakt aty është një orar pune. Janë 60 minuta të arta ku krijohet një besim. Bëhet një vlerësim i gjendjes, vendosin objektiva, zhvillohet punë terapeutike me flet pune”, shtoi psikologia Besmira Lahi.

Mes shumë shkaktarësh që po japin pasoja te adoleshentët për gjendjen e tyre emocionale dhe të shëndetit mendor, kanë edhe rrjetet sociale. Videot dëshpëruese, videot që promovojnë jetën luksoze dhe videot dezinformuese, shkaktojnë ankth dhe stres dhe një gjendje parehatie te adoleshentët.

“Tashmë adoleshentët  sikurse dhe të rriturit janë shumë të ekspozuar ndaj media sociale. Ne shikojmë një postim i cili është i zymtë një pamje të një skenë lufte dhe menjëherë ne deprimohemi, dekorajohemi dhe kjo na ndikon negativisht. Ne shikojmë një jetë prestigjoze, luksoze dhe ajo na vendos në sistem alarmi. Ky krahasim social i cili ndikon në vetëbesim të ulët, e bën adoleshenti të përjetojë ankth, të mërzitet, të ndihet shumë inferior dhe kompensimi i këtyre boshlleqeve më pas shoqërohet me përdorimin e substancave psikoaktive, me përdorimin e duhanit për të treguar që unë jam më i fortë siç ju mendoni se unë jam”, tha psikologia.

Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos