Gripi nuk ka ikur, por java e parë e pranverës uli infektimet Ah1N1 dhe virozat e tjera. Kurba e sëmundshmërisë nga infeksionet respiratore ka pësuar një rënie të lehtë krahasuar me një javë më parë. Instituti i Shëndetit Publik raporton mbi 14900 të prekur vetëm javën e fundit edhe pse shifrat reale janë më të larta pasi jo të gjithë i drejtohen qendrave shëndetësore apo urgjencave. Epidemiologët theksojnë se gripi dhe nëntipi Ah1n1 vijon të dominojë në qarkullim ndaj Covid-19 dhe virozëve të tjera.
Karakteristikë e gripit këtë vit ishte agresiviteti i lartë i tij. Referuar edhe mjekëve specialistë gripi I këtij sezoni u shfaq me temperaturë shumë të lartë që zgjaste 1 javë deri 10 ditë, më kollë të fortë si dhe ndërlikime të rrugëve të frymëmarrjes.
Edhe në këtë periudhë fëmijët vijojnë të jenë grup-mosha më e prekur nga gripi por jo në pak raste mjekët konstatojnë mbivendosje të tij mëCovid-19 apo me infeksionet e tjera respiratore. Kjo situatë epidemiologjike, e ndryshme nga dy-tre vitet e fundit për shkak të morisë së viruseve në qarkullim, vijon të shkaktojë sëmundshmërinë popullatë. Në javën e parë të marsit Gjirokastra, Kruja, Peqini, Kukësi e Mirdita raportojnë rritje të rasteve me grip. Ndërkohë Instituti i Shëndetit Publik vijon monitorimin e situatës së fruthit në vend.
Edhe pse këtë periudhë ka një rritje të vaksinimeve tek fëmijët, 3 raste të reja janë konfirmuar me këtë sëmundje infektive vetëm javën e fundit. Nga janari deri tani janë prekur nga fruthi 34 fëmijë. Tirana kryeson në rang vendi për numrin më të lartë të fëmijëve të pavaksinuar. (A2 Televizion)