Astrofizikantja Mimoza Hafizi ka shpjeguar në emisionin “Dita Jonë” në A2CNN fenomenin sipas të cilit Hëna po largohet gradualisht nga Toka, një proces i njohur dhe i verifikuar shkencërisht.
Sipas Hafizit, bashkëveprimi gravitacional mes Tokës dhe Hënës shkakton deformime në sipërfaqen e Tokës, të cilat manifestohen përmes baticave dhe zbaticave. Këto procese shoqërohen me humbje energjie, duke ndikuar si në orbitën e Hënës, ashtu edhe në rrotullimin e Tokës.
“Është një fakt që shpjegohet shkencërisht, madje është parashikuar dhe është verifikuar me instrumentet që kemi, sepse bashkëveprimi mes Tokës edhe Hënës sjell ato deformimet, ju i dini baticat dhe zbaticat. I ndiejmë për ditë sidomos kur jemi pranë detit, dhe të gjitha këto dukuri bëjnë që të humbasë energji. Hëna largohet vit pas viti dhe Toka e zvogëlon shpejtësinë e rrotullimit rreth vetes. Sepse humbet energjia. Largimi i Hënës është matur. Këto fenomene tregojnë se universi është gjithmonë në zhvillim”, u shpreh Hafizi. (A2 Televizion)