Edhe pse sezoni veror ende nuk ka nisur zyrtarisht, Himara po pret qindra turistë të huaj. Vizitorët vlerësojnë detin, natyrën dhe mikpritjen, ndërsa premtojnë se do të rikthehen sërish në rivierën shqiptare, raporton A2CNN.
Rritja e temperaturave dhe ditët me diell kanë bërë që ky fillim sezoni ta gjejë Himarën të mbushur me qindra turist nga vende të ndryshme të Europës. Vizitorët vijnë kryesisht nga Anglia, Danimarka dhe Greqia, të cilët përfshijnë Himarën në itineraret e tyre turistike në Shqipëri.
Një turist nga Anglia shprehet: "Është hera ime e parë në Himarë. Jetoj në Shqipëri prej pesë vitesh dhe më pëlqen të zbuloj vende të reja. Himara më ka lënë përshtypje shumë të mira dhe me siguri do të rikthehem."
Turistët thonë se për Himarën kanë mësuar kryesisht nga interneti, por edhe nga rekomandimet e miqve që e kanë vizituar më herët.
Një turiste nga Londra thotë: "E zgjodhëm Himarën për detin, klimën dhe pamjet e bukura. Shqipërinë e zbuluam në internet dhe deri tani jemi mahnitur nga ajo që kemi parë. Do ta rekomandoj patjetër tek miqtë e mi."
Deti, natyra, ushqimi tradicional dhe mikpritja janë elementët që përmenden më shpesh nga vizitorët si arsyet pse ky qytet po fiton popullaritet nga viti në vit.
Sakaq një grua nga Danimarka thotë: "Erdhëm pas rekomandimit të miqve tanë. Kemi qëndruar tre ditë dhe na ka pëlqyer shumë. Shpresoj të kthehem përsëri dhe do t'ua sugjeroj edhe të tjerëve." (A2 Televizion)