Pas afro 30 vitesh mungesë, semaforët janë vendosur sërish në funksion në disa prej akseve më të frekuentuara të qytetit, duke ndikuar në qarkullimin rrugor në qytetin e Vlorës. Prej disa ditësh në disa kryqëzime të qytetit janë parë automjete dhe këmbësorë që po mundohen të përshtaten me rregullat e reja të lëvizjes.
Ndërsa një pjesë e qytetarëve e shohin këtë si një hap pozitiv për sigurinë gjatë momentit që kalojnë rrugën, shkruan A2 CNN. Ndërkohë që ka edhe drejtues mjetesh apo kalimtarë që ende nuk janë mësuar me semaforët dhe futen në kryqëzime me dritë të kuqe, duke rrezikuar jo vetëm veten por edhe përdoruesit e tjerë të rrugës.
Në rrugën Transballkanike, por edhe në zona të tjera të qytetit ku semaforët janë aktivizuar, situata është shoqëruar me lëvizje më të kontrolluara, megjithëse nuk kanë munguar momentet problematike nga mosrespektimi i sinjalistikës.
Rikthimi i semaforëve në Vlorë shihet si një ndryshim i rëndësishëm për menaxhimin e trafikut në qytet, ndërsa ka nisur edhe monitorimi i qarkullimit nga policia rrugore për të shmangur problematikat dhe ndëshkuar drejtuesit e automjeteve që nuk zbatojnë rregullin (A2 Televizion)