Shqiptarët nuk po largohen më vetëm, po “ikin pa kthim”. Afro 900 qytetarë hoqën dorë nga shtetësia shqiptare vetëm vitin e kaluar, ndërsa në një dekadë numri ka kaluar 6 mijë e 600. Pasaporta europiane, puna, arsimi dhe shëndetësia më e mirë po e kthejnë emigrimin në një zgjedhje përfundimtare.
Shqiptarët jo vetëm po largohen, por po braktisin përfundimisht vendin. Për një pasaportë evropiane apo australiane gati 900 persona hoqën dorë nga shtetësia shqiptare vitin e shkuar. Në krahasim me vitin 2024, numri i atyre që “ikin pa kthim” u rrit me 52 raste ose 6.1 për qind.

“Të paktë janë shtetet të cilat të lejojnë dy nënshtetësinë. Normalisht shteti i cili të pret pretendon që të lini shtetësinë tuaj e të përfitoni atë të vendit ku jetoni. Marrja e nënshtetësinë është një procedurë e tejzgjatur dhe personat e kualifikuar kanë përparësi. Mund të shkoj ky proces deri në 7-8 vjet”, thekson Rafael Todhe, jurist në Gjermani.
Përherë e më shumë shqiptarët po heqin dorë nga pasaporta e vendit të lindjes për të marrë atë të një shteti që u ofron më shumë, së paku në një drejtim, atë të ekonomisë. Të dhënat nga Ministria e Brendshme tregojnë se në dekadën e fundit janë mbi 6 mijë e 600 shqiptarë që kanë hequr dorë nga pasaporta shqiptare.

“Shumë vende të Bashkimit Europian nuk e lejojnë dyshtetësinë, ndër to gjermania, Austria, Holanda, Spanja nuk e lejojnë. Shtete ku flukset e emigrimit të shqiptarëve janë më të mëdha”, shprehet Rafael Todhe jurist në Gjermani.
Po çfarë po e shtyn të heqin dorë nga shtetësia?
“Pjesa më e madhe që i shtynë janë 3 indikatorë një punë më e mirë arsim më i mirë shëndetësi më e mirë. Nuk përfitojnë nga shumë përparësi që shtetet japin. Nëse e marrin atë janë shtetas europian dhe përfitojnë së pari lëvizjen e lirë, ndryshimin e vendbanimit”, dekloron sociologu Gëzim Tushi.
Sipas të dhënave të INSTAT, rreth 52 për qind e të larguarve nga vendi janë të rinj të grup-moshës 15-35 vjeç.
“Përveç tkurrjes ekonomike, forca e madhe e punës largohet, nga na tjetër ne perceptojmë një tkurrje demografike, plakje më e shpejtë e popullsisë sonë”, thotë sociologu Gëzim Tushi.
Sipas të dhënave nga EUROSTAT, më shumë se 521 mijë qytetarë shqiptarë kanë marrë në 20 vitet e fundit shtetësinë e njërit nga vendet e Bashkimit Europian. (A2 Televizion)