“Ka vonesa me DHL”, kreu i KQZ e pranon: Procesi i diasporës nuk u realizua perfekt, por s’rrezikohet integriteti

Nga A2 CNN
6 Maj 2025, 12:06 | Aktualitet

“Ka vonesa me DHL”, kreu i KQZ e pranon: Procesi i diasporës

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi e pranoi në daljen e sotme për mediat se procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit për emigrantët shqiptarë, kryesisht në Greqi, nuk ka shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, edhe pse shërbimi postar u ofrua nga DHL.

Edhe pse pranoi se 21 mijë zarfe ende nuk kanë mbërritur në adresën e zgjedhësve për shkak se adresat kanë qenë të pasakta ose votuesit nuk janë paraqitur për t’i tërhequr pranë zyrave të DHL, Celibashi nënvizoi se është bërë një punë shumë e mirë në përgjithësi.

I pyetur nëse rrezikohet legjitimiteti i procesit të votimit të diasporës me problematikat e shfaqura, Celibashi tha se “nuk mund të vihet në dyshim integriteti”.

Kemi një marrëdhënie kontraktuale me DHL, ashtu siç do marrëdhënie do të vlerësojmë në përfundim dhe do të ulemi me palën tjetër dhe do të shohim se sa e si e ka përmbushur atë shërbim. Është ekzaktësisht njësoj si çdo marrëdhënie tjetër kontraktuale. Është herët për të dhënë gjykime se si DHL ka kryer shërbimin kemi shënuar çdo gjë sipas problemit tonë dhe do diskutojmë kur të vijë momenti me kontraktorin. Kemi ndjekur me vëmendje të gjitha shqetësimet. Kemi marrë informacion edhe përmes rrjeteve sociale, ua kemi bërë me dije. Jam i bindur 100% dhe jashtë çdo lloj interesi që më së pari lidhet me atë se çka është bërë për realizimin e këtij procesi, por në mënyrë kategorike në vlerësimin dhe në gjykimin tim nuk mund të vihet në dyshim integriteti i procesit të votimit nga jashtë. Është proces tej modestisë, që nuk është realizuar në mënyrë prefekte dhe jo për shkaqe që lidhe n me KQZ, por është një proces i realizuar, pa hezituar mund ta them, shumë mirë. Gjykuar nga numrat, gjithmonë. Pastaj gjithsecili mund të bëjë gjykimin e vetë. Ndoshta ne nuk jemi në terren, por nga ajo çka vjen këtu tek ne qoftë përmes partive politike, qoftë përmes zgjedhësve, assesi ky proces nuk mund të vihet në diskutim”, theksoi ai.

Celibashi po ashtu bëri me dije se deri më tani janë nisur nga KQZ mbi 240 mijë zarfe për votuesit jashtë vendit dhe janë shpërndarë në adresa mbi 220 mijë, ndërsa mbrapsht janë kthyer mbi 144 mijë zarfe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos