Elbasani është tronditur nga lajmi i ndarjes nga jeta të një prej figurave të shquara të artit skenik dhe kinematografik shqiptar, aktorit dhe regjisorit të njohur Eduart Çala.
Ai u shua në moshën 75-vjeçare duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe kulturore për qytetin e tij të lindjes dhe për gjithë artdashësit shqiptarë.
Eduart Çala lindi më 19 shtator 1950 në Elbasan ku kreu edhe arsimin fillor dhe të mesëm në shkollën “Jeronim De Rada”. Edhe pse nuk e pati mundësinë të studiojë për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve, ai ndoqi studimet e larta në Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” për Gjuhë-Letërsi.
Dashuria për teatrin dhe skenën do të shfaqej që në bankat e shkollës së mesme, kur interpretoi në komedinë “Udha e Zavalinëve”, një pjesë që la gjurmë në jetën e tij artistike. (A2 Televizion)