“Konfliktet për motive banale”, tre të plagosur në Shkodër e Vlorë

Nga A2 CNN
20 Gusht 2026, 23:19 | Aktualitet


Konfliktet për motive banale shkaktuan tre të plagosur këtë të enjte. Në Shkodër, një person u plagos me armë zjarri nga fqinji i tij, ndërsa në Delvinë dhe Vlorë dy persona të tjerë u plagosën pasi u goditën me sëpatë dhe sende të forta nga bashkëqytetarët e tyre.

Tre persona mbetën të plagosur të enjten në tre ngjarje të ndryshme, ndërsa policia ka arrestuar disa prej autorëve të dyshuar.

Në Shkodër mbeti i plagosur Vladimir Bruçi, i cili u qëllua me armë zjarri nga fqinji i tij. Ngjarja, që paraprakisht dyshohet se ka ndodhur për motive banale, u regjistrua në lagjen “Partizani” të qytetit.

Mësohet se gjendja e të plagosurit nuk paraqet rrezik për jetën, ndërsa autori i dyshuar, Pjerin Bitani, sipas burimeve, është vetëdorëzuar pas negociatave të zhvilluara me efektivët e Policisë së Shkodrës.

Në Delvinë, plagosja nuk u krye me armë zjarri, por me sëpatë.

Xhike Hita pësoi dëmtime të rënda në fytyrë pasi u godit nga Lekan Tazo.

49-vjeçari u dërgua me urgjencë në Spitalin e Sarandës, ku mjekët njoftuan se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Dyshohet se konflikti mes dy burrave nisi në rrugë, për arsye që deri më tani konsiderohen banale. Autori i ngjarjes u arrestua menjëherë nga policia.

Plagosje pati edhe në Vlorë. Një 50-vjeçar pësoi dëmtime të rënda në kokë pasi u dhunua me sende të forta nga tre persona. Një prej autorëve është vënë në pranga, ndërsa rrethanat e ngjarjes janë nën hetim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos