
Forcimi i standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve, rritja e profesionalizmit dhe rikthimi i besimit të publikut te Policia. Këtë mesazh u përcolli ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, drejtuesve vendorë të Policisë dhe strukturave të Policisë Kufitare, në prani edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.
Ministri e vuri theksin te nevoja që çdo strukturë policore të jetë e orientuar drejt qytetarit dhe të garantojë një shërbim profesional, etik, të shpejtë dhe në përputhje me ligjin.
“Perceptimi dhe besimi i qytetarëve ndërtohen çdo ditë, mbi bazën e profesionalizmit, etikës dhe mënyrës se si Policia u përgjigjet ankesave, shqetësimeve dhe kërkesave të tyre për informacion. “Etika është minimumi. Shërbimi cilësor, i shpejtë dhe konform ligjit është ajo çfarë presin dhe meritojnë qytetarët”, theksoi ministri.
Ai kërkoi që drejtuesit vendorë t’i kushtojnë vëmendje të veçantë mënyrës së komunikimit me qytetarët dhe reagimit ndaj ankesave, shqetësimeve dhe kërkesave të tyre.
Sipas ministrit, çdo kontakt mes qytetarit dhe Policisë duhet të shërbejë për forcimin e besimit te institucioni, ndërsa profesionalizmi, respektimi i ligjit dhe orientimi drejt komunitetit duhet të jenë pjesë e punës së përditshme të strukturave policore.
(A2 Televizion)