Menopauza nuk është vetëm një periudhë ndryshimesh hormonale dhe fizike, por edhe një fazë që mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin mendor të gruas. Ankthi, pagjumësia, irritabiliteti, ndryshimet e humorit dhe, në disa raste, depresioni janë disa nga shqetësimet që mund të shfaqen gjatë kësaj periudhe dhe që nuk duhen neglizhuar.
Në emisionin “Diagnozë” nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, psikiatrja Dr. Fatbardha Myslimaj Xhani, pranë Klinikës Vera–Virhov, shpjegoi se menopauza është një proces biologjik normal, por ndryshimet hormonale që e shoqërojnë mund të ndikojnë edhe në ekuilibrin emocional të gruas.
“Menopauza është një periudhë normale biologjike e jetës së gruas. Megjithatë, ndryshimet hormonale mund të shoqërohen me afshe të nxehta, irritabilitet, ankth, pagjumësi dhe luhatje të humorit, të cilat, nëse zgjasin dhe ndikojnë në cilësinë e jetës, kërkojnë vlerësim nga specialisti”, u shpreh psikiatrja.
Sipas saj, një nga sinjalet më të rëndësishme që nuk duhet nënvlerësuar është kur shqetësimet emocionale fillojnë të ndikojnë në jetën e përditshme, në marrëdhëniet familjare, profesionale dhe shoqërore. Në raste të tilla, gruaja nuk duhet të përpiqet t’i përballojë e vetme këto vështirësi.
Dr. Myslimaj Xhani theksoi se kujdesi ndaj gruas në perimenopauzë dhe menopauzë duhet të jetë multidisiplinar, duke përfshirë mjekun e familjes, obstetër-gjinekologun, psikiatrin dhe, sipas rastit, edhe psikologun. Fillimisht rekomandohet një vlerësim i plotë klinik dhe hormonal, ndërsa medikamentet nuk janë domosdoshmërisht hapi i parë i trajtimit.
Një rol të rëndësishëm, sipas saj, luan edhe psikoterapia dhe psikoedukimi, pasi informimi i grave mbi ndryshimet që ndodhin gjatë kësaj faze ndihmon në uljen e frikës, pranimin e situatës dhe menaxhimin më të mirë të simptomave.
Psikiatrja apeloi gjithashtu për më shumë vëmendje nga familjarët. Nëse një grua fillon të izolohet, të humbasë interesin për aktivitetet e zakonshme, të ndryshojë sjelljen apo të shfaqë vetëfajësim dhe trishtim të vazhdueshëm, këto mund të jenë sinjale që kërkojnë vlerësim profesional.
Gjatë intervistës u fol edhe për ndikimin e menopauzës në marrëdhënien në çift, në jetën profesionale, si dhe për rëndësinë e mbështetjes nga partneri, familja dhe shoqëria. Dr. Myslimaj Xhani theksoi se menopauza nuk duhet parë si fundi i feminitetit, por si një etapë natyrshme e jetës, e cila mund të përjetohet me cilësi dhe mirëqenie kur gruaja informohet dhe mbështetet në kohën e duhur.
Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)