Drejtor Ekzekutiv i qendrës ALERT në Shqipëri, Granit Sokolaj, tha në emisionin “Ditari i Pasdites” nga Pandi Gjata në A2CNN, se shumica e restoranteve në Shqipëri kanë mish të importuar nga Brazili, duke i konsideruar si marketing bizneset që pretendojnë që kanë mish Llogaraje apo Dukati.
Sokolaj thekson se me ndalimin e importit të mishit të viçit në Shqipëri do të rritet kontrabanda e këtij produkti.
“Në lidhje me mishin e viçit do të rritet kontrabanda. Ne nuk kemi aq kapacitete prodhuese për mbashtrimin e viçave, mund të jenë 2-3 stabilimente që mbashtrojnë vica për mish. Ne aktualisht importojmë. Në gjithë Shqipërinë sot nuk gjen, përveç ndonjë restoranti tek-tuk në periferi, apo në zona malore, s’gjen në asnjë restorant mish vendi, të gjithë e kemi mish importi Brazili. Fatkeqësia është që e marrim shtrenjtë në restorant dhe nuk e dimë çfarë po konsumojmë, sigurisht marinohet dhe përpunohet mirë dhe ai thotë e kam mish nga Llogaraja, nga Dukati. Emrat janë marketing, sepse nuk ka prodhim. Në momentin që do ndalojë importi i Brazilit”, tha ai. (A2 Televizion)