
Fluks i lartë udhëtarësh është shënuar në pikën kufitare të Kapshticës, ku qytetarët që udhëtojnë drejt Greqisë po presin prej më shumë se një ore në radhë.
Krahas udhëtimeve të fundjavës, një ndër arsyet e fluksit është edhe zgjedhja e shumë qytetarëve nga Korça dhe zona e juglindjes për të bërë pazar në Greqi.
Çmimi më i ulët i naftës, por edhe diferencat në çmimet e produkteve ushqimore, po i shtyjnë familjet të kalojnë kufirin për furnizimet e përditshme.
Për banorët e zonave pranë kufirit, blerjet në Greqi janë kthyer në një alternativë për të ulur shpenzimet, ndërsa fluksi në Kapshticë ka sjellë edhe pritje të gjata për udhëtarët.
Në pikën kufitare vijojnë procedurat e përpunimit të udhëtarëve, ndërsa burime nga kufiri thonë se gjatë fundjavave dalin nga Shqipëria me tepër se 10.000 shtetas (A2 Televizion)