Situata me zjarret, Prefekti i Fierit: Janë izoluar të gjitha vatrat

Nga A2 CNN
5 Shtator 2026, 20:37 | Aktualitet

Prefekti i Qarkut të Fierit, zoti Anduel Xhindi, dha detaje mbi situatën e zjarreve në këtë qark.

“Prej ditës së djeshme, disa fshatra të njësive administrative të Bashkisë së Fierit, janë përfshirë nga një zjarr masiv, i cili ka rrezikuar edhe banesa, por falë ndërhyrjes të të gjitha strukturave të Emergjencave Civile, është bërë i mundur izolimi i të gjitha vatrave të zjarrit, përjashto vetëm një vatër zjarri që ndodhet në fshatin Teshta, njësinë administrative Frakull, e cila është aktive, por është brenda kontrollit”, tha Xhindi në një lidhje direkte me studion e “Terminal” nga Loneta Progni, në A2CNN.

Sipas tij, policia po merret me zbardhjen e shkaqeve të zjarrit, por “deri në këto momente janë shoqëruar dy persona të dyshuar për zjarrvënie. Një është arrestuar dhe një tjetër është shoqëruar në komisariat”.

Në lidhje me dëmet nga zjarret, prefekti u shpreh: “Deri në këto momente, për shkak se jemi duke operuar, ende nuk kemi një vlerësim të saktë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri që përfshiu këto 3 njësi, por ajo që unë dua të them është se ka një sipërfaqe të konsiderueshme të djegur. Gjithashtu, janë tre objekte të djegura, të pabanuara dhe një punishte e vogël gruri”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos