“Ngjarjet para Ministrisë së Arsimit, shqetësuese”, Demo: Dënoj dhunën ndaj policisë, do bëjmë bilancin e të lënduarve

Nga A2 CNN
13 Tetor 2026, 21:06 | Aktualitet

“Ngjarjet para Ministrisë së Arsimit, shqetësuese”,

Nga Luksemburgu ku ndodhet për mbylljen e kapitullit të 20 të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka dënuar sulmet ndaj punonjësve të Policisë dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestës para Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, ai dënoi dhunën ndaj punonjësve të policisë dhe shprehu shqetësimin për të gjithë të lënduarit, duke njoftuar se institucionet do të publikojnë një bilanc të verifikuar.

“Ngjarjet e sotme përpara Ministrisë së Arsimit janë shqetësuese. Shpreh shqetësimin tim për çdo person të lënduar, qoftë student, qytetar, gazetar apo punonjës policie, dhe u uroj të gjithëve shërim të shpejtë. Institucionet përgjegjëse do të publikojnë një bilanc të plotë e të verifikuar të të lënduarve.

Dënoj pa asnjë rezervë sulmet ndaj punonjësve të Policisë, dëmtimin e pronës publike dhe private. Protesta paqësore është një e drejtë demokratike që shteti ynë e garanton plotësisht. Dhuna ndaj njerëzve dhe institucioneve nuk mund të justifikohet në emër të kësaj të drejte themelore.

Policia e Shtetit ka detyrimin të mbrojë qytetarët, institucionet dhe sigurinë publike. Efektivët meritojnë mbështetje për ushtrimin e detyrës brenda ligjit dhe e kanë detyrë të mbrohen nga çdo sulm ndaj tyre”, shprehet ministri.

Ai u bëri thirrje strukturave përgjegjëse të marrin masa për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke garantuar njëkohësisht sigurinë publike, të drejtën për protestë dhe sigurinë e gazetarëve.

“Njëkohësisht, çdo veprim i Policisë duhet të jetë i ligjshëm, i nevojshëm dhe proporcional. Organet kompetente do të shqyrtojnë paanshmërisht çdo pretendim për përdorim të paligjshëm apo joproporcional të forcës, pa i paraprirë asnjë përfundimi hetimor. Çdo pamje dhe dëshmi që ndihmon në zbardhjen e çdo detaji të mundshëm duhet të ruhet dhe të verifikohet.

Ligji duhet të zbatohet njësoj për këdo.

Përgjegjësitë duhet të përcaktohen individualisht, mbi bazën e provave. Pjesëmarrja në të njëjtën protestë nuk e bën askënd përgjegjës për veprimet e një personi tjetër krah tij.

U kam kërkuar strukturave përgjegjëse të marrin masat për uljen e tensioneve dhe parandalimin e përplasjeve të tjera, duke garantuar sigurinë publike dhe të drejtën për protestë paqësore. Gazetarët duhet të mund ta kryejnë punën e tyre në siguri”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos