Protestuesit drejt sheshit Skënderbej, gazetari: Është zgjeruar perimetri i sigurisë, shumë të shoqëruar

Nga A2 CNN
13 Tetor 2026, 20:23 | Aktualitet

Nga Rruga e Durrësit ku prej më shumë se 6 orësh pati tensione dhe përplasje mes policisë dhe protestuesve, gazetari i A2 CNN Armend Pire raportoi për Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, se aktualisht protestuesit janë shpërndarë drejt sheshit Skënderbej dhe nyjeve të tjera të kryeqytetit. Sipas tij është zgjeruar perimetri i sigurisë i punonjësve të policisë, ndërsa pati edhe shumë shoqërime të protestuesve.

“Është zgjeruar perimetri i sigurisë i punonjësve të policisë të cilët pas disa tentativash kanë bërë të mundur largimin e protestuesve nga ministria e arsimit. Kemi shpërndarje të protestuesve drejt sheshit Skënderbej dhe nyjeve të tjera të Tiranës. Ka pasur gaz lotsjellës gurë të hedhur në drejtim të policisë së shtetit dhe shumë shoqërime të cilat kanë bërë të mundur që një pjesë e protestuesve të shpërndahen por edhe të rikthehen drejt sheshit qendror”, raportoi gazetari Armend Pire raportoi për Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.

Gazetari solli në vëmendje se një nga episodet më të rënda të kësaj proteste ishte djegia e një biznesi, si edhe hedhja e gurëve dhe molotovëve.

“Një nga episodet ishte dhe djegia e një biznesi mikrokredie, nxorën edhe objekte dhe orendi nga subjekti. Kishim masivitet të zjarrit dhe djegie të orendive aty. Nuk pati ndërhyrje të policisë për shuarjen e flakëve ndërkohë që autobotet ishin shumë pranë vatrës së zjarrit . Ndërkohë që ekipet e urgjencës po shoqërojnë një qytetar të lënduar i cili duket se po refuzon ndihmën. Ka masivitet të hedhjes së gurëve dhe molotovëve. Ka patur akuza nga protestuesit për dhunë të ushtruar ndaj tyre. Po kështu dhe grupet e xhirimit nuk janë lejuar të filmojnë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos