
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar pas raportimeve për dhunë dhe pengim të gazetarëve gjatë protestës së zhvilluar para Ministrisë së Arsimit në Tiranë, duke i bërë thirrje Policisë së Shtetit të ndalojë menjëherë sulmet ndaj mediave.
AGSH bën me dije se, sipas raportimeve, gazetarja e Fax News, Fatime Halmusa, është dëmtuar fizikisht nga efektivët e policisë, ndërsa ekipi i A2 CNN është penguar me forcë të raportojë nga protesta.
AGSH e cilëson të papranueshme çdo formë dhune apo pengese ndaj gazetarëve në ushtrimin e detyrës dhe kërkon që rastet e raportuara të trajtohen me urgjencë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria.
Gazetari Anesti Bajramemaj, së bashku me operatorin Henri Simota u shtynë me dhunë nga efektivët, teksa po raportonin drejtpërdrejt nga vendngjarja.
Reagimi i plotë:
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i bën thirrje Policisë së Shtetit që të ndalojë menjëherë sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve.
Nga raportimet e paraprake Policia e Shtetit ka dëmuar fizikisht gazetaren e FaxNews Fatime Halmusa, ndërsa ka penguar forcërisht ekipin e A2CNN për të raportuar nga protesta që po ndodh aktualisht para Ministrisë së Brendshme.
Problematika raportojnë edhe mediat e tjera.
Kjo është e papranueshme dhe meriton trajtim urgjent nga Agjencia e Mbikqyrjes Policore dhe Prokuroria. (A2 Televizion)